Kreditë e këqija arrijnë 18.8 për qind
Bankat e mbyllën vitin 2011 me një nivel prej 18.8 për qind të kredive me probleme. Të dhënat vijnë nga Shoqata e Bankave, e cila ka publikuar sëfundmi treguesit e aktivitetit të sistemit bankar duke pasqyruar me detaje edhe ecurinë e kredisë dhe depozitave. Referuar këtyre treguesve, mësohet se niveli i kredive me probleme ka kaluar 1 miliardë dollarët. Shoqata e Bankave raporton për rreth 106 miliardë lekë kredi me probleme deri në fund të dhjetorit 2011. Edhe pse në rritje, ritmet e saj ishin më të ngadalta gjatë dhjetorit duke shtuar shpresat se treguesit e kredive me probleme do të stabilizohen gjatë muajve të parë të këtij viti. Por nëse kanë probleme me mbledhjen e rreth 106 miliardë lekëve, bankat konsiderojnë të humbura rreth 31.4 miliardë lekë, para të cilat nuk kanë më shpresë për ti rikuperuar. Kjo është edhe pjesa më problematike për sistemin bankar, pasi ato hasin probleme në mbledhjen e 18.8 lekëve për çdo 100 lekë kredi të lëshuar, ndërsa kanë humbur 5.6 lekë për çdo 100 lekë kredi të dhënë ndaj biznesit apo individit.
Vlerësimi për kreditë bëhet sipas pesë kategorive të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë. Vlerësimi bëhet duke u bazuar në kohëzgjatjen e pagesës së kësteve si edhe gjendjes financiare të kredimarrësit. Kreditë standarde janë kategoria e parë dhe këtu klasifikohen ato kredi, kur kredimarrësi ka një gjendje financiare të mirë dhe këstet paguhen jo më vonë se 30 ditë nga data limit. Kreditë e kësaj kategorie përllogariten në 386 miliardë lekë deri në fund të dhjetorit të këtij viti. Kategoria e dytë janë kreditë në ndjekje, ku kredimarrësi ka një gjendje të mirë financiare dhe mund të bëjë pagesat me gjithë problemet momentale që mund të përballet. Pagesa bëhet me një vonesë 31 deri 90 ditë nga data kur ishte përcaktuar. Kreditë e kësaj kategorie përllogariten në 41.8 miliardë lekë. Kategoria e tretë janë kreditë nën standard, ku gjendja financiare e kredimarrësit dhe flukset konsiderohen të pamjaftueshme për të shlyer detyrimet. Këstet paguhen me një vonesa nga 91 deri në 180 ditë. Kreditë e kësaj kategorie përllogariten në 52.6 miliardë lekë. Tek kategoria e tretë fillon edhe problemi për bankat. Kreditë me probleme i përkasin pikërisht kategorive nga e treta deri tek e pesta.
Kategoria e katërt, janë kreditë e dyshimta kur kredimarrësi nuk ka mundësi për të paguar dhe është thuajse i falimentuar. Këstet paguhen zakonisht gjashtë muaj deri një vit me vonesë nga data e paracaktuar. Kreditë e kësaj kategorie janë rreth 22 miliardë lekë. Kategoria e fundit janë kreditë e humbura. Këto kredi vlerësohen në rreth 31.4 miliardë lekë.
Shqiptarët, 924 miliardë lekë nëpër banka
Depozitat kanë njohur rritje të konsiderueshme gjatë vitit të shkuar, rreth 17 për qind. Mësohet se bizneset dhe individët kanë të depozituara rreth 924 miliardë lekë. Pjesa më e madhe e tyre i përket individëve, rreth 797 miliardë lekë, kurse 127 miliardë lekë figurojnë në pronësi të bizneseve. Rritja e depozitave i jep më shumë mundësi bankave për të kredituar ekonominë. Megjithatë, bankat kanë parashikuar shtrëngim të kushteve të kreditimit gjatë tre majorit të parë të këtij viti. Tregues të tillë pasqyrohen në vrojtimin mbi aktivitetin kreditues nga Banka e Shqipërisë për tre mujorin e fundit të vitit 2011 dhe fillimin e këtij viti. Rezultati paraqitej negativ në drejtim të standardeve të kredisë duke prekur drejtpërdrejtë biznesin. Bankat parashikonin një shtrëngim të mëtejshëm të kushteve për lëshimin e kredive ndaj biznesit edhe gjatë tre mujorit të parë të këtij viti duke iu kundërvënë politikave të Bankës Qendrore, e cila ka ulur deri në 4.5 për qind normën bazë të interesit për lekun.
Në këtë mënyrë, bizneset janë më pak të parapëlqyer nga bankat krahasuar me individët në rastet kur do të kërkojnë të financohen. Për sa i përket tremujorit të parë të vitit 2012, bankat presin vijim të shtrëngimit të standardeve, si për kredinë për investime ashtu dhe për kredinë për kapital qarkullues. Shtrëngimi pritet të ndikojë më shumë kredinë e dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme se sa kredinë për ndërmarrjet e mëdha. Nga ana tjetër, pritjet për kërkesën vijojnë të jenë pozitive, citonte BSH në vrojtimin e saj të publikuar në muajin shkurt.
Bankat rriten edhe numrin e bankomateve gjatë vitit të shkuar. Në të gjithë vendin figurojnë rreth 805 bankomate si edhe 731 850 karta debiti dhe krediti.
