Ndalohen qeset plastike nga janari 2013
Data 1 janar 2013 do të jetë dita e fundit e përdorimit të qeseve plastike në vend .Qeveria miratoi dje një vendim të posaçëm për prodhimin dhe përdorimin e ambalazheve në vendin tonë, pjesë e të cilit ishin specifikisht ato plastike. Sipas vendimit, bizneset ndalohet të prodhojnë ambalazhe plastike duke filluar nga data 1 shtator e këtij viti, ndërsa doganat do të udhëzohen që të mos lejojnë futjen e qeseve plastike duke filluar po nga jo datë. Pas ndalimit të importit dhe prodhimit do të ndalohet edhe përdorimi.
Vendimi ndalon prodhimin apo futjet e qeseve plastike që përbëhen nga material plastike që nuk degradohet. Megjithatë, ekzekutivi ka planifikuar të lejojë përdorimin e një lloji tjetër qesesh plastike por kësaj radhe të përbëra nga material që degradohet në natyrë. Materiali në fjalë degradohet në kushtet kur trajtohet në lanfillde. Ndalohen prodhimi, importimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike nën 30µ (mikro). Pas datës 1 shtator 2012, ndalohen prodhimi dhe hedhja në treg e qeseve plastike të pabiodegradueshme nga të gjithë operatorët ekonomikë. Pas datës 1 shtator 2012, ndalohet importimi i qeseve të plastikës të pabiodegradueshme, – përcaktohet në vendimin e djeshëm.
Por pas ndalimit të importit dhe prodhimit të qeseve në shtator 2012, qeveria parashikon edhe ndalimin e përdorimit të tyre përsëri me vendim. Sipas vendimit të djeshëm, të gjithë njësitë tregtare në territorin e vendit ndalohen të përdorin qese plastike të padegradueshme duke filluar nga janari i vitit 2013. Pas datës 1 janar 2013, ndalohen përdorimi dhe tregtimi i qeskave plastike të pabiodegradueshme nga të gjitha njësitë tregtare, – përcakton vendimi.
Krahas ndalimit të përdorimit, ekzekutivi ka ndërmarrë rregullime edhe në drejtim të trajtimit të mbetjeve. Vendimi i djeshëm ndalon transportin e përbashkët të mbetjeve urbane. Ndalohet transporti i mbetjeve të ambalazheve me mjetet që transportojnë mbetje organike të përziera shtëpiake/bashkiake, – vijon vendimi.
