E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria në prag deflacioni, rritje minimale e çmimeve në shkurt

Emirjon Senja

Ulja tre herë rresht e normës së interesit për lekun nuk ka mundur të përshpejtojë ecurinë e ekonomisë së vendit. Madje, kërkesa ka renë në ato nivele sa vendi rrezikon të përballet me deflacion. Instituti i Statistikave publikoi dje treguesit e inflacionit që shënoi vendi përgjatë muajit shkurt duke raportuar një rritje minimale të çmimeve me vetëm 0.6 për qind. Kjo është rritja më e vogël e shënuar përgjatë një dekade.

Sipas INSTAT, rritja e çmimeve ka vijuar në grupin e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilët shënuan një shtrenjtim prej 2.2 për qind. Rritja më e madhe e çmimeve është shënuar tek zarzavatet me 13 për qind. Shtrenjtimi e këtyre të fundit është e kuptueshme për shkak edhe të sezonit. Rritje çmimesh gjithashtu është shënuar edhe tek frutat me 4.5 për qind.

Ndryshe nga muajt e kaluar, gjatë shkurtit është shënuar ulje çmimesh tek një grup tjetër ushqimesh, siç janë sheqernat me 0.4 për qind si edhe në grupin qumësht, djathë dhe vezë me 0.1 për qind.

Rritje çmimesh ndërkohë ka pasur edhe në grupin e pijeve alkoolike dhe duhanit me 0.2 për qind. Rritja në këtë grup ka ardhur për shkak të shtrenjtimit të alkoolit. Ndërkohë, duke ndjekur ecurinë e muajve të fundit, çmimet e veshjeve dhe këpucëve mësohet të jenë ulur edhe gjatë shkurtit. INSTAT raporton se çmimet në këtë grup janë ulur me 0.5 për qind.

Në inflacionin e muajit shkurt ndikon edhe rritja e çmimit të ujit të pijshëm në një pjesë të mirë të bashkive të vendit, i cili ka filluar të aplikohet që prej janarit. Nafta dhe benzina ndërkohë kanë vijuar rritjen edhe gjatë muajit që sapo mbyllëm duke shënuar sërish rekorde. Momentalisht, një litër naftë shitet mesatarisht me 187 lekë, kurse një litër benzinë shitet me 189 lekë. Indeksi i grupit Transporti shënoi një rritje prej 0.8 për qind. Gjatë muajit Shkurt çmimi i naftës shënoi një rritje prej 1.7 për qind dhe çmimi i benzinës një rritje prej 1.9 për qind, – tregon INSTAT.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›