E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreditë e këqija arritën kulmin, tani pritet ulja

Bankat

Drejtuesit e bankave në Shqipëri mendojnë se gjatë tremujorit të parë të këtij viti, kreditë e këqija në sistemin bankar shqiptar duket se kanë shënuar maksimumin rreth muajit shkurt të këtij viti dhe se tani gjasat janë që ato të fillojnë të ulen. Bankat besojnë se ekonomia do të fillojë të përmirësohet tani e tutje, gjë që do të stabilizojë edhe financat e kredimarrësve.

Kreditë e këqija arritën në 11.8 për qind të totalit të portofolit në muajin shkurt, nga vetëm 7.8 për qind që qenë një vit më parë. Por në mars, kreditë e klasifikuara si me probleme, në ndjekje apo të humbura, u reduktuan në 11.7 për qind të portofolit duke dhënë shenja përmirësimi. Në korrik të vitit 2008, pra para fillimit të krizës financiare dhe ekonomike botërore, kreditë e këqija qenë vetëm 4.1 për qind e totalit të portofolit. Pavarësisht rritjes drastike të kredive me probleme, sistemi bankar shqiptar arriti rezultat financiar pozitiv gjatë vitit të kaluar dhe ka shtuar disa herë fitimet në tre muajt e parë të këtij viti. Shkaku kryesor i mosprekjes së fitimeve ka qenë aftësia ligjore e bankave për t’ua faturuar kredimarrësve të rregullt koston e krijuar nga kreditë e këqija, veçanërisht për shkak të kontratave me kushte të papërcaktuara në segmentin e kredive afatgjata për klientët familjarë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›