E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët, asnjë gllënjkë alkool në orar të punës!

Në çdo shërbim është ngjitur urdhri: as alkool, as duhan gjatë gjithë orarit të qëndrimit në punë

Ashtu si poetët, edhe mjekët njihen si dashamirës të pijeve alkoolike, ndonjëherë duke u klasifikuar edhe si pijedashës.

Duke u nisur edhe nga disa ngjarje të papëlqyeshme, apo për shkak të ankesave lidhur me aromat e padëshirueshme, sidomos në temperatura të larta, një nga rregullat e vendosura në çdo shërbim spitalor në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” sqarohet në një shkresë me plot 7 pika, se mjekët dhe personeli mbështetës duhet të kufizohen dhe të kenë një sjellje të përgjegjshme të paktën gjatë 8 orëve të punës.

Konkretisht, dy nga pikat kryesore të urdhrit përmbajnë dy çështje tejet me rëndësi. Ndalohet rreptësishtë konsumimi i pijeve alkoolike gjatë orarit të punës. “Ndalesa” e dytë është për duhanin. Konsumi në ambientet spitalore, që duhet të japin shembullin të parët, është i pafalshëm dhe i patolerueshëm. Një tjetër pikë me rëndësi për këtë urdhër është edhe pika e fundit, ku thuhet “të printohet dhe të shpërndahet me shpejtësi”. Kjo do të thotë se të gjithë ata që e kanë gjetur në e-mail këtë urdhër zyrtar, duhet ta printojnë, të bëjnë kopje dhe ta ngjisin në mjedise të dukshme dhe qartësisht të lexueshme nga personeli.

Urdhri është ngjitur si në ambientet e jashtme të godinave spitalore, ashtu edhe në mjediset e brendshme. Edhe pse ka kohë që është lëshuar nga strukturat drejtuese shëndetësore, përsëri ripërtërihet dhe vazhdon të qëndrojë i afishuar në ambiente të dukshme. Kjo nisur edhe nga pika e 7-të, e cila kërkon printim dhe shpërndarje të menjëhershme. Në cilësinë e urdhrit, kjo procedurë është bërë rutinë për menaxhuesit e punës në shërbimet shëndetësore në qendrën spitalore universitare e cila mban emrin e bamirëses botërore, “Nënë Tereza”. Sipas drejtuesve, të cilët kanë lëshuar urdhrin, mjekët duhet që patjetër të respektojnë udhëzimin, pikat që përmban shkresa dhe të mos devijojnë nga kjo, pasi alkooli sjell pasoja të parikuperueshme në ambientet e punës, ndërsa konsumi i duhanit paraqet shkelje ligjore, përkatësisht për ligjin “për mbrojtjen ndaj produkteve të duhanit”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›