Skandali i radhës me pronat në gjykata
Një konflikt pronësie është bërë shkak i një skandali në Gjykatën e Faktit Berat dhe atë të Apelit në Vlorë. Bëhet fjalë për 27 mijë metra katrorë që, sipas agronomit të Komisionit të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë pranë Prefekturës së Qarkut Berat, Nuri Behari, gjykata i jep të drejtë një qytetari beratas, duke i dhënë titull pronësie mbi një pronë që është përfituar nga ai me dokumente të falsifikuara. Skandali në fjalë ka revoltuar institucionin e prefektit të Qarkut të Beratit. Burime nga prefekti i qarkut, thanë dje për gazetën, se paraditen e të mërkurës, pas tri seancave të shtyra, Gjykata e Apelit në Vlorë ka vendosur lënien në fuqi të vendimet të Shkallës së Parë, duke hedhur poshtë në mënyrë flagrante të gjitha pretendimet e Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë mbi tokën bujqësore, pranë prefektit të këtij qarku.
çështje gjyqësore, që sipas burimeve nga prefektura, zbuloi skandalin e gjykatave të Beratit dhe Apelit në Vlorë, është gjykuar gjashtë herë në Shkallën e Parë dhe nga i njëjti gjyqtar janë marrë tri vendime për zgjidhje administrative të konfliktit dhe një për kalim të titullit të pronësisë në favor të përfituesit të paligjshëm. Ky vendim i Gjykatës së Beratit i është dërguar për apelim Gjykatës së Apelit në Vlorë në tetor të vitit të kaluar, nga prefekti i Qarkut të Beratit, i cili e ka ankimuar vendimin nr. 1324, datë 13.10.2009, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat, pasi ky i fundit kishte rrëzuar vendimin Nr. 3 të Komisionit Vendor të Verifikimit të Titujve të Pronësisë. Në këtë të fundit njihej si pronar shtetasi A. Lamaj, banor i fshatit çorrogjaf, të Komunës Tërpan në rrethin e Beratit, i cili ka përfituar nga ligji Nr. 7501, datë 19.07.1991, gjithsej 27400 m2 tokë bujqësore, si ish-banor i këtij fshati dhe ish-anëtar i kooperativës bujqësore. Por, disa vjet më vonë, toka e tij figuronte në emër të vëllait, N. Lamaj, i cili kishte vite që banonte në lagjen Uznovë të qytetit të Beratit dhe kishte përfituar tokë në përdorim nga reforma e kësaj NB-je.
Agronomi i Komisionit të Vlerësimit të Titujve të Pronësisë, pranë prefektit të Qarkut Berat, Nuri Behari, njëherësh edhe përfaqësues i institucionit të tij në Gjykatën e Apelit, tregon se pas tri seancave të shtyra për arsye të pashpjeguara, trupi gjykues zhvilloi paraditen e së mërkurës seancën e katërt dhe të fundit, e cila zgjati vetëm 30 minuta, ku përveç tij çështja ishte parashikuar të mbrohej edhe nga një avokat i caktuar kryesisht. Sipas z. Behari, trupi gjykues nuk i mori në konsideratë argumentet e Komisionit Vendor dhe në përfundim të seancës vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 1324, datë 13.10.2009 të Gjykatës së Beratit, duke i dhënë të drejtë shtetasit N. Lamaj për të përligjur titullin e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 27400 m2 tokë bujqësore.
Nuri Behari tregon se është i vetmi vendim i humbur nga Komisioni Vendor i Verifikimit të Titujve të Pronësisë pranë prefektit të Qarkut Berat, nga mbi 10 të tillë të dërguar në gjykatë. Zoti Behari e konsideron si një skandal të drejtësisë vendimin e dhënë dy ditë më parë nga Gjykata e Apelit dhe sqaron se institucioni që ai përfaqëson do ta ndjekë më tej çështjen në fjalë. Ai thotë se do të presin zbardhjen e vendimit të Apelit dhe se do ta apelojnë atë në Gjykatën e Lartë. Krahas tij, prefekti i qarkut i është drejtuar zyrtarisht komisionit qeveritar të tokës dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe pret përgjigjen e tyre pas verdiktit të Gjykatës së Apelit.
#