Kreditë e këqija kalojnë shifrën 1 mld dollarë
Kreditë e këqija janë rritur edhe më shumë gjatë tremujorit të fundit duke kapur kuotën e 22.7 % të totalit të kredive. Të dhënat zyrtare që vijnë nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në periudhën korrik-shtator, huatë e pashlyera në banka u rritën me mbi 1.5 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me një vit më parë ato janë 4.7 pikë përqindje më të larta.
Vlera e kredive
E përkthyer në vlerë monetare shifra është 1 miliardë e 265 milionë dollarë ose mbi 10 për qind e Prodhimit të Përgjithshëm Bruto. Pas 2009-ës, kreditë e pashlyera janë rritur nga viti në vit duke reflektuar ngadalësimin e rritjes ekonomike dhe tkurrjen e të ardhurave të disponueshme në ekonomi.
Borxhet
Por së fundmi, rritja e tyre ka ardhur edhe nga një tjetër faktor, që lidhet me vështirësitë financiare të buxhetit. Dy vitet e fundit, Qeveria ka krijuar një rrjet të gjerë detyrimesh të pashlyera ndaj kompanive private, të cilat kanë kryer punë publike, kryesisht në ndërtim. Ndërkohë Banka Botërore theksoi pak ditë më parë se shifra mund të jetë nga 1.5 deri në 2 për qind e Prodhimit Kombëtar. Edhe pse nuk është pranuar asnjëherë zyrtarisht nga qeveria situata e stabilitetit financiar të vendit, FMN dhe Banka Botërore këmbëngulin se detyrimet e fshehura të buxhetit e kanë transferuar zinxhirin e borxhit në banka.
Bizneset
Në pamundësi për të arkëtuar paratë nga Qeveria, bizneset nuk mund të shlyejnë kreditë që kanë marrë në banka. Rritja e kredive të këqija ishte një nga shqetësimet e evidentuara më fort nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në misionin e tij të fundit në Shqipëri. Në deklaratën publike, shefi i misionit të FMN i kërkoi Qeverisë të ndërhyjë me masa urgjente, fillimisht duke shlyer të gjitha detyrimet që ka ndaj privatëve dhe më pas forcimin e sistemit ekzekutues të garancive.