E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti TAP Haxhinasto pret homologun e Azerbajxhanit

Ministri i Ekonomisë Edmond Haxhinasto, priti në një takim ministrin për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev. Një ndër temat kryesore të diskutimit mes tyre ishte projekti i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline, ku të dy bashkëbiseduesit u shprehën në mbështetje të tij. Kreu i ekonomisë shqiptare tha gjatë takimit se Shqipëria mbetet e hapur të mirëpresë investitorët nga Azerbajxhani, që kanë një ekspertizë ne fushën e gazifikimit. “Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri”, është shprehur Haxhinasto
Ministri për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, Mustafajev theksoi gjatë takimit se Azerbajxhani e sheh Shqipërinë si një vend që paraqet shumë mundësi për të investuar dhe shprehu interes për investime në fusha si, energjetika, infrastruktura, bujqësia e tregtia. Gjithashtu në takim u ra dakord që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor të bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.
Ministri Haxhinastoi ftoi investitorët e Azerbajxhanit të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve, duke përmendur se shumë shpejt do të hapet tenderi për ndërtimin e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Vjosë dhe tenderi për hidrocentralin e Skavicës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›