Kreditë e këqija, kolateralet peng 400 mln USD
Qeveria ka shprehur gatishmërinë dje për të ndërmarrë nisma të reja ligjore në ndihmë të bankave për të ekzekutuar garancitë (kolateralet) ndaj klientëve që nuk kanë mundur të shlyejnë kredinë. Garancitë ligjore dhe proceduriale në emër të qeverisë i ka dhënë dje ministri i Financave, Ridvan Bode, në një tryezë të rrumbullakët të iniciuar nga Banka e Shqipërisë në lidhje me problematikën që ka shfaqur kohët e fundit ekzekutimi i kolateraleve. Qeveria është e gatshme të ndërhyje ka thënë Bode, për shkak se në këtë rast nuk cenohet vetëm bilanci i një banke ose disa bankave, por cenohen depozitat e qytetarëve në këto banka dhe ekonomia në tërësi. Impakti ekonomik që ka sjellë mosekzekutimi në kohë dhe me eficiencë i kolateralit bankar është i konsiderueshëm. “Totali i detyrimit të papaguar nga debitorët e që janë çuar në procesin e ekzekutimit të kolateralit arrin në rreth 20 miliardë lekë. Ndonëse vlera e kolateralit është gati 2 herë më e larte se vlera e detyrimit, dhe mëse e mjaftueshme për të likuiduar këto detyrime, pasiguria dhe vonesat në sistemin e ekzekutimit e bëjnë kompensimin për bankat një objektiv gjithnjë e më të vështirë për ta kapur” tha Bode. Treguesit e performancës së sistemit bankar gjithashtu janë prekur nga mungesa e ekzekutimit të shpejtë të kolateralit. Kreditë e këqija janë rritur ndjeshëm dy vitet e fundit, dhe një rol të konsiderueshëm në këtë tregues ka luajtur pamundësia e bankave për të tërhequr garancitë, çka do t’u mundësonte atyre fshirjen nga bilanci i kredive të këqija që do të shlyheshin me kolateral, pra përmirësimin e treguesit. Përtej kësaj, kostoja e financimit në disa sektorë është rritur, sikurse është rritur dhe hezitimi i bankave për të huajtur më shumë ekonominë reale, por dhe resurset që ato i alokojnë gjetjes dhe vlerësimit të klientëve të kreditueshëm. Bode tha se, sistemi bankar në 5 vitet e fundit, nga 7% e PBB-së financon biznesin privat, ekonominë reale me 40 – 45% të PBB-së. Pra ka rritur mbi 5 herë në raport me PBB-në dhe mbi 10 herë në vlerë totale sasinë e kreditimeve që ka bërë për biznesin privat, për ekonominë reale dhe për zhvillimin e vet dhe sigurisht që një sistem i besueshëm bankar financon me norma më të ulëta interesi. “Një sistem bankar problematik do të financojë me norma shumë më të larta interesi. Ju e dini që Greqia, një vend që deri dy vite më parë shërbeu me 3% interes për bonot e thesarit të vet, sot me 15%. Dhe këtë kosto nuk e përballon dot më nesër bota e biznesit, nëse do të godasë, do të dëmtojë besueshmërinë e sistemit” tha Bode. Për të gjithë situatën e krijuar në lidhje me kreditë e këqija që tani janë në masën e 200 milionë dollarëve, Bode ka fajësuar vetë bankat. “Ato probleme që kanë çuar në një sërë vështirësish në portofolet tuaja, nuk janë vetëm probleme të ekonomisë por edhe të tuajat, të tregut bankar. Të transparencës dhe ndershmërisë, me të cilët tregu bankar i është adresuar ekonomisë reale në periudhat më të qeta” tha Bode. Një tjetër pretendim nga industria bankare lidhet me vendimet e gjykatave pёr masën e sigurimit të padisë. Shqyrtimi dhe vendimmarrja e gjykatës kryhet pa praninë e palёs kreditore, dhe si pasojë pa u shqyrtuar dëmi që i shkaktohet kësaj pale, duke shkelur në këtë mënyrë parimin e barazisë së palëve dhe duke zgjatur me muaj të tërë pezullimin e procesit të ekzekutimit. Situata rëndohet edhe më tej, kur vërehet se marrja e masës së sigurimit të padisë, sipas dispozitave të Kodit, duhet të bazohet në prova shkresore dhe jo në vlerësime të kryera në kohën e marrjes së kredisë, të cilat ndryshojnë ndjeshëm nga vlerësimet në kohën e kryerjes së procesit, duke manipuluar masën e sigurimit të padisë.