E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: E majta e bashkuar, e pamundur me Ramën

Bisedoi: Ilir Babaramo

Deputeti socialist, Kastriot Islami, insiston se kreu i socialistëve nuk di ta drejtojë partinë dhe se duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. PS, sipas tij, duhet të bashkohet me LSI-në nëse dëshiron të fitojë zgjedhjet e vitit 2013.

Zoti Islami, saga elektorale e Tiranës zgjati dy muaj. Rama humbi apo ja vodhën me procedurë në tavolinë Bashkinë e Tiranës?

Tirana dhe gjithë Shqipëria nuk ka momentin vetëm të Bashkisë, ka minibashkitë, këshillin dhe këshillat e minibashkive. Të gjithë tre të tjerat, rezultati as nuk është diskutuar por është pranuar. Pra e majta si “Aleancë për të Ardhmen” ka kaluar nga 9 me 2, në 7 me 4, ka humbur Këshillin Bashkiak duke kaluar në opozitë dhe këshillat e minibashkive gjithashtu. Unë gjithnjë e kam trajtuar pyetjen, që nëse e majta do ishte e bashkuar. LSI mori 19700 vota dhe nëse do ishte e majta bashkuar, që nuk duhet të ishte Edi Rama që erdhi në PS në vitin 2005 dhe duhet ta bënte në vitin 2007. I kërkuam që të vendosej në krye të partisë dhe të hiqte dorë nga dilema mes partisë dhe bashkisë. Zoti Rama në vitin 2009, pavarësisht se u zgjodh në 2007 kryebashkiak, ai duhet të ishte në krye të listës. Gabimi erdhi që nga vitit 2007 dhe nëse ai kishte ardhur për tu bërë lider dhe Kryeministër i vendit, ai duhej që atëherë të llogariste zgjedhjet e përgjithshme të dy viteve më pas. Zoti Rama ishte gati të kalonte nga karrigia e kryebashkiakut tek e Kryeministrit, por nuk donte të ishte në krye të listës. Ka edhe problemin që zoti Rama nuk pëlqen Parlamentin, nuk pëlqen debatin, pëlqen të lëvizë në monologje konferencash shtypi. Shumë personazhe që dalin aty lexojnë SMS që njihen nga publiku dhe media. PS duhet ta bënte jetën politike në Parlament dhe ajo i ka kapacitetet. PS u krijua nga PPSH dhe fitoi zgjedhjet, fitoi referendumin, faktoi manipulimin e zgjedhjeve në 1996 dhe më pas erdhi në pushtet. Brenda pesë vitesh pati suksese dhe transformim. Zoti Rama gjeti PS të humbur, por kjo parti kishte kapacitetet për të qeverisur. Ai humbi zgjedhjet e 2007, humbi Presidentin, humbi zgjedhjet e 2009 dhe në fakt u humbën edhe zgjedhjet e 2011. Edhe tani, PS në Tiranë ka humbur të gjitha elementët e saj. Do prisja vendimin e Kolegjit që përfundimisht arriti në këtë konkluzion.

Lidershipi i PS thotë se është marrë mandati në tavolinë.....

Jam shumë dakord me analizën që bëjnë kolegët e mi. Kam uruar që ishalla jam unë gabim. Për të mirën e PS, më mirë të isha unë gabim sesa të ndodhte ajo që ndodhi. Në Tiranë, parametrat kryesorë janë të qarta e pa asnjë lloj kontestimi flasin kundër fitores së PS. Përgjegjësi kryesor për këtë është zoti Rama, që kryesoi fushatën në Tiranë. Në shkallë kombëtare prapë rezultati nuk flet në favor të tij, pasi janë 140 mijë vota më shumë për koalicionin tjetër. Në zgjedhjet lokale analizohen numri i bashkive kryesore dhe këtu është humbur Lezha dhe Tirana, çka përbën humbje në raport me 2007. Analiza e PS është naive dhe qesharake. Ka pasur kandidatë që kanë përmirësuar rezultatin ndjeshëm, siç ndodhi me Elbasanin dhe me Durrësin, por në Tiranë ka ndodhur i njëjti rezultat me 2009. PS ka fituar në zonat bastion të PD, siç edhe ka humbur në zona bastion të saj, por duhen parë arsyet e vërteta dhe fitoreve. Duhet parë p.sh në Kavajë ka ndodhur një ngjarje që e ka vendosur PS-në dhe politikën e saj të jashtme në një pozitë të vështirë. Mendoj se Kavaja apo Laçi janë fitore të suksesshme, por konkluzioni i këtyre zgjedhjeve është se e majta e përçarë për herë të tretë nuk arrin të jetë e suksesshme. Kam parasysh aksin kryesor PS-LSI. Rama thotë se nuk më duhet matematika, pasi atij ose nuk i pëlqen apo nuk e kupton.

Kur zoti Meta premton pakt të përjetshëm me Berishën, çfarë faji ka Rama?

Nëse në 2005, 2009, 2011 nuk është bashkuar e majta, ka disa arsye. Në analizën për vitin 2005, Rama ja kaloi fajet zotit Nano. Kam thënë që nuk është Rama i 2005, ai që është në 2009, por luan me të njëjtat shtigje. Në 2007 kur ishte në pozitë të vështirë, për të vendosur rrënjët e thella në parti i duhej bashkia dhe bëri koalicion me Metën. Pyetja është pse bëri në 2007 dhe pse jo në 2009? Kur ka interes vetjak dhe personal e bën koalicionin, ndërsa për interesat e PS nuk e bën. Nga 2007 deri në 2009, Meta nuk kishte shkuar te Berisha por ishte ai që kërkonte të bashkohej me PS. Rama kërkonte ta merrte pushtetin i vetëm. Kërkesa e zotit Meta, që të ishte Kryeministër i së majtës nuk do ishte legjitime. Shkaku është se zoti Rama nga pikëpamja e tij individuale dhe kompleksi i inferioritetit që e ka dëshmuar ndaj koalicionit dhe figurave drejtuese në PS e ka të vështirë të bashkëpunojë me njerëz që kanë kapacitete. Ai e ndjeu veten të fortë në Bashki në 2007 dhe në PS, ku u zhvillua kongresi i fundit, ku gjithë kandidatët e kongresit u rizgjodhën. Ai mendoi se ka një shans ta fitojë i vetëm procesin e 2009. Kjo është arsyeja kryesore pse Rama ju drejtua skenarit të qeverisjes i vetëm e pa aleat. Për të bërë koalicion duhen dy palët, por përgjegjësia kryesore i bie palës më të madhe. Nga 2009 në 2011 dihen historitë që kanë ndodhur mes PS dhe LSI dhe debatet në lidhje me luftën ndaj korrupsionit dhe videon para zgjedhjeve. Shtyrja nga zoti Rama ka bërë që marrëdhëniet mes dy partive apo të Ramës me Metën u acaruan pasi ishte betejë personale. Ai mendonte se duke eliminuar zotin Meta, merr elektoratin e LSI. Zoti Meta, nga 74 mijë zemra, arriti në 124 mijë. LSI nuk u zvogëlua dhe sikur edhe gjysma e elektoratit të mbetet duhet marrë parasysh.

Ekziston mundësia e bashkimit mes Metës dhe Ramës?

Shikoj që Rama përfundimisht, por me probabilitet të lartë, tregoi edhe këtë herë një paaftësi ekstremale për të afruar personazhet në PS. Unë vet kam lënë Francën dhe Gjermaninë, jo për t’ju servilosur zotit Rama, apo zotit Nano, por që të shoh sistemin e kontributit të vlerave. Në PS është vendosur sistemi i servilizmit që lidhet me një mandat.

A e keni shkelur ju këtë sistem vlerash. Kam parasysh kohezionin e brendshëm.....

Unë qëllimisht këtë herë kam qenë i distancuar nga zgjedhjet. Punova mjaft në 2009 për zgjedhjet dhe kam kafshuar gjuhën për shumë gjëra. Për interesin e PS kam qëndruar konsekuent dhe ndoshta për herë të parë u arrit hartimi i një sistemi zgjedhor me konsensus të plotë, ndërsa Kodi Zgjedhor u drejtua nga Fatmir Xhafaj dhe Damian Gjiknuri. Ndryshimet Kushtetuese i kam mbështetur, por nuk kam qenë unë në këtë proces. Sistemi zgjedhor është ai që është ndërtuar “fair” në të dyja anët dhe me konsensus të gjerë në parlament. Zoti Rama ka shpërndarë një lajm, që fajin e ka sistemi, por në marrëdhëniet e mia personale nuk e ka pranuar këtë. I kam thënë se duhet të kesh burrëri ta thuash kush ta ka fajin, Saliu apo sistemi. Pra sistemi nuk i ka asnjë lloj faji, pasi po ta kishte do kërkonte Rama të ndryshonte sistemi. Pas 2009 e deri më sot, Rama nuk ka mbledhur asnjëherë sekretariatin. Do paraqes rreth 5 mijë faqe punë në këto vite. Le të krahasohet me ata që vazhdojnë e pinë kafe te Partia Socialiste. Unë jam njeri institucional dhe serioz. Kam pritur të më thërrasë zoti Rama tre vite rresht për të më dhënë detyra. Nuk ka thirrur sekretarët në asnjë mbledhje kryesie.

A punonit kundër tij ju?

Nuk kam si të punoj kundër Ramës dhe PS. Jam socialist që nuk punoj dot kundër vetes. Ja kam thënë publikisht defektet sepse s’ka forum ku mund të flitet. Asambleja është bërë vend teatral, ku flet kryetari dhe mbyllet. Në mbledhjet e Asamblesë nuk ja vlen të shkosh sepse po the një mendim ndryshe ose ka disa snajpera që sulmojnë ose nuk vendoset asgjë dhe mbyllet mbledhja. Më vjen keq që zoti Rama ka humbur në Tiranë. PS duhet të pranojë rezultatin e zgjedhjeve dhe vendimin e Kolegjit sepse ndërtoi kodin me konsensus dhe përbërjen e Kolegjit, duke dhënë konsensus maksimal. Atakohem unë se kam mbajtur qëndrim në të njëjtën linjë me ndërkombëtarët. Ai thotë bojkoti e ka dhënë rezultatin. Ku e ka dhënë në fakt? Askund.

Pati në sensibilizim në vitin 2009 ama?

Edhe kjo tezë dihet se kur unë nuk bëra bojkot, protesta, grevë urie apo edhe 21 janarin, askush nuk ma hapte telefonin. Ky donte vetëm ti hapnin telefonin. A ka ndonjë lider të rëndësishëm që e ka mbështetur zotin Rama për bojkotin? PS ka marrë shuplaka të njëpasnjëshme për bojkotin që ka ndjekur.

A janë manipuluar zgjedhjet e 8 Majit?

Në 99% të rasteve, për gjithë Shqipërinë nuk është folur për manipulim. E vetmja që e ka shqetësuar Edi Ramën ka qenë Tirana. Bëri veprimin tek KQZ nga deputetët që hipën mbi kokat e policëve dhe pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, PS tha do pres procesin përmes bojkotit. Në momentin që Kolegji e dha rezultatin, interpretimi politik mund të vazhdojë por rezultati duhet pranuar. Interpretimi im politik është se zoti Rama duhet ta bashkonte të majtën dhe të fitonte një kandidat tjetër me 40 mijë vota në Tiranë. I kam thënë, nëse ti do konkurrosh dhe do mbash bashkinë, PS do lëngojë dhe vuajë. Rama nuk e di si drejtohet Partia Socialiste dhe është në qorrsokak, çka e bën më të vështirë fitoren në 2013.

Ka shans ta bashkojë?

Nuk ka reflektim. Nuk bëhet fjalë, a do jetë filani apo filani deputet. Nuk është bërë jetë parlamentare. Një njeri që ka ardhur të bëjë politikë dhe nuk vjen në parlament, por shkon shtyp butonin për të marrë pagën, bën veprimtari parlamentare të turpshme. Të mos presë PS se do fitojë një ditë dhe këta do jenë rehat e do bëjnë si të duan. Duhet të reflektojë për të kuptuar arsyet e vërteta të këtij rezultati.

A mundet ta bashkojë Rama të majtën?

PS duhet të reflektojë sinqerisht për të kuptuar çfarë ndodhi në 2007, 2009 dhe 2011. Nëse nuk do reflektojë, por do mundohet me sloganet dhe parrullat, që fajin e ka ky, etj. ka vështirë të ndërtojë skemën fituese. Nëse do reflektojë, unë mendoj se ka disa probleme që duhen zgjidhur në mënyrë të sinqertë. Nuk është puna për të marrë një shishe pa verë e për t’i vënë etiketë. Rama është mjeshtër për t’i vënë etiketën por nëse shishja s’ka verë, s’ka si të jetë. Duhet të ndërtojë programin e forcës së majtë, që i bind të majtët. Nuk është momenti që PS të kthehet nga një parti socialdemokrate në parti liberale. Duhet të ndërtojë një statut që të vendosë karrierën në PS, pasi tani ka servilizëm dhe Rama mban në rresht partinë. Mendimi ndryshe të institucionalizohet. Rama u mburr në 2005, sikur ishte ai që e solli idenë e fraksioneve. Nuk po flas për çështjen time personale. Duhen garantuar në mënyrë kolegjiale veprimi dhe marrje veprimesh e jo si ajo që ndodhi që Rama vuri kandidaturën dhe askush nuk e di se kush ishte kundër. Nuk është problemi si t’i mbyllim gojën Kastriot Islamit, Arben Malajt, Andis Harasanit apo Ben Blushit. Nëse PS do bënte këtë që bën tani zoti Rama, ai nuk do kishte mundësi të futej në parti.

A ishte mbledhja e fundit e Asamblesë në këtë drejtim?

Vazhdim i demagogjisë dhe mashtrimit. U fol për vazhdim bojkoti e për sukses spektakolar. E majta e shkretë është vënë në gjumë, por i duhet thënë e vërteta se nuk i fiton zgjedhjet në 2013 në këtë gjendje të përçarë. Nuk është çështja të ngresh një sekretariat me shtatë servilë dhe një kryesi me 24 servilë, çështjet duhen diskutuar në forume. Mesazhi i mbledhjes së fundit është se ne nuk kemi humbur dhe hajde të pastrojmë partinë nga ata që punojnë kundër. Kanë hapur fjalë se kam marrë edhe database-in e votuesve, por atë e ka ende në Bashki e nuk e ka sjellë në parti. Çfarë i duhen Lul Bashës, numrat e telefonit të Partisë Socialiste? Kjo është një gjë qesharake dhe vazhdojnë të mendojnë me mentalitetin e xhaxhit Maocedun. Mendon se arrin diçka, duke hapur një thashethem se Islami ka shitur database-in dhe ka punuar kundër. Atëherë nëse qenkam kaq mjeshtër duhet të më mbante afër.

Do qëndroni edhe nëse nuk do ju vendosin në lista në 2013?

Do jem deputet se s’bën.

Do kandidoni për një parti tjetër?

Do ta gjej mënyrën. Ja thashë zotit Rama se edhe kur më hoqi nga Strasburgu se do e gjeja mënyrën. Nuk jam vetëm unë që mund të rrezikohem në 2013. Nuk i dihet se çfarë bëhet deri atëherë. Ky qëndrim i imi është kundër Edi Ramës, që e çon partinë nga dështimi në dështim. Duhet ta dinë mirë socialistët se nëse do vazhdohet duke mbështetur Edi Ramën në këtë mënyrë si në 2007, 2009 dhe 2011 mbështetja do bjerë, dhe me shumë gjasa PS nuk do fitojë zgjedhjet e 2013. Nëse zoti Rama nuk e bën të majtën e bashkuar, më mirë të mos jetë ajo. Edhe ajo pastruesja që preu tortën e ditëlindjes së PS, mund ta bëjë më mirë se Rama bashkimin. Zoti Rama nuk e merr dot tortën e pushtetit vetëm e ta hajë me një grup të vogël, që mendon se edhe nëse humben zgjedhjet në 2013 mund të vazhdojmë në 2017 se pushteti vjen vetë një ditë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›