Leximi i turpit nacional
- Përfytyroni para se të shfletoni librin “Ringjallja” të Uran Butkës
A ishte aksident kombëtar rreshtimi ynë nën tutelën e Moskës sllavo - komuniste? Para se të shfletoni librin “Ringjallja” të Uran Butkës, përfytyroni për një çast kurdisjen e panumërt të komploteve brendajashtë Atdheut, zhdukjen pa asnjë gjurmë të shumë patriotëve e intelektualëve të shquar të kombit. Menç mos e qitni jetën parlamentare të viteve ’20 të shek. XX, kujtoni gjestin e Nolit, i cili edhe pse zihej me Konicën, kurrë nuk kishte lejuar që në Parlament ta fyenin atë, rast ky i rrallë edhe sot në analet e demokracisë shqiptare.
Nga erdhi ajo forcë demoniane dhe e tmerrshme? U shfaq si vërshimë pas furtunës, që kishte shkundur çdo gjë tonën dhe shpuri një popull e kulturë në bastardhim, në vetëzhdukje. Dhe kur t’i bini në fund librit, do të bindeni se keni shfletuar diçka jo të rëndomtë; se keni kaluar nëpër një ferr, që rreth nesh ka frymuar; se lufta e klasave dhe ai ideologjik ishin bërë në mënyrë të poshtër – kundër qenies sonë dhe vetë Shqipërisë.
Padyshim kjo ishte fatkeqësi.
1. Për një gjysmë shekulli ishim shkëputur nga qytetërimi perëndimor, të cilit i takonim; kishim lënduar edhe ëndrrën e rilindasve, që ardhmërinë tonë e kishin projektuar në veprat e tyre.
2. Disi pa vetëdije, iu bashkuam një dogme dhe utopie, që asgjë të përbashkët nuk kishte me origjinën, kulturën dhe historinë tonë. Ndoqëm një kope që zbriste nga e panjohura dhe priste që të na gllabërojë si hapësirë e komb. Kujtoni ministrin e punëve të jashtme të Rusisë cariste, i cili në fillim të shekullit XX ç’kishte thënë: deri në shek. XXI shqiptarët do t’i qesim në det. Te të tillët mbështetnim fatin kombëtar?!!
3. Përkundër premtimeve të koalicionit antifashist se pas Luftës së Dytë Botërore, që ne e quanim edhe LNÇ (nuk di pse?), do të bashkohen trojet shqiptare. E vërteta doli ndryshe: ne mbetëm pikepesë, kusuritje në mes të të mëdhenjve e fqinjve tanë; dhe
4. Brenda idealit komunist ndodhi tradhtia: popujt nuk ishin të barabartë, por të manipuluar. Ky tërmet plasi edhe brenda kombit, drithmat e të cilit i ndiejmë ende. Është tmerrues vazhdimi i copëzimit tonë, që pamundëson formimin e shtetit sipas vullnetit të popullit shqiptar. Kjo pjellë e historisë dhe e ndërhyrjeve të tjerëve dëmtoi edhe demokracinë e re shqiptare.
Intriga na u bë dhunti. Pabesia mori përmasa të papërshkrueshme për qenien tonë. U bëmë armiq të vetvetes dhe trojet tona u shndërruan në një teatër tragjik, ku tërë populli i varfër e i fyer u bë aktor; luante rolin që ia përcaktonin forcat e errëta. Na lejonin që të shikojmë vetëm njërën anë të të vërtetes së hidhur që ata e zbukuronin, kurse dimensionet e tjera të jetës së njëmendtë për ne ishin të errësuara; nuk guxonim të bënim fjalë as për ëndrrat që na shfaqeshin në vetminë e thellë, sepse:
1. Kasta komuniste-revolucionare kujdesej për shëndetin e popullit, u ofronte menynë pa pikë yndyre interesave kombëtare. Qitej në harresë, madje edhe ndalohej fakti se edhe tej malit ekziston diçka shqiptare. Sipas shtetit ideologjik, shpalosja e gjërave shpiente te një kaos i madh, jo vetëm brenda qenies shqiptare.
2. Kreu i nomenklaturës kujdesej për lirinë individuale, si dhe për deklarimin kombëtar.
3. Historia kombëtare reduktohej sipas logjikës së mediokërve, duke hequr figura të tëra historike. Sipas tyre “historia e vërtetë”, mundësisht të fillonte aty diku me Luftën e Dytë Botërore. Kjo u desht të bëhet edhe për shkak të rehatisë së fqinjve, madje edhe për shkak të popullit, i cili duhej të amnistohej nga të bëmat e pabëra në të kaluarën. Krenaria kombëtare kërkohej te perënditë e reja që na dilnin nga lufta.
Luhatjet e shtetit lexohen si mungesë e kurajos kombëtare. Shteti ideologjik kishte pranuar turpin – se kryente punët e fqinjve, që edhe ata vetë i kishin lënë për një kohë më të përshtatshme. Tkurrja e hapësirës jetësore nisi t’i ngjajë një pylli të prerë. Kosova dhe Çamëria frymonin diku tjetër, ndërkaq, krasitja vazhdonte: shumëçka e vlefshme, e pakompensueshme. Shkrimtarët e mendimtarët e formatit të Fishtës, Konicës, Koliqit, Selman Rizës, Mithat Frashërit e shumë të tjerë, konsideroheshin të papërshtatshëm për “rendin e ri”. Arsyeja: të tillët donin një Shqipëri dinjitoze, kombëtare, ashtu siç e kishte projektuar gjeniu ynë. Gjymtimi shkoi aq larg sa u fajësuan edhe rilindasit, pse nuk kishin lindur marksistë. Pikëlluese ishte t’i shihje shkrimtarët e kombit, siç dëshironin gogolët e ideologjisë. Me atë petkun e mesazhin kombëtar të tyre nuk u lejohej hyrja në shkollë, se ishte shndërruar në çerdhe ideologjike. Në shtetin tone kërkohej të jetë çdo gjë ideologjike, bile edhe pëshpëritjet me të dashurën aty diku nën pishat e Atdheut.
“Ringjallja” e Uran Butkës lexohet jo vetëm si vrragë ndërgjegjeje, por edhe si çelës për të depërtuar në jetën e të përndjekurve dhe të zhdukurve nga diktatura. “Ringjallja” është metaforë e përgjakur e shpirtit demokratik shqiptar, që nuk prajti së ekzistuari as në kohë të liga.
Duke zbuluar monstruozitetin e diktaturës, zbulon dhe madhështinë e botëkuptimit të ndrydhur demokratik. Autori këtë rrënim e rrymim nuk e sheh vetëm brenda kufijve politikë. Nëpër tekstin e tij të shkruar me mjaft nuancime dhe të mbështetur në dokumenta të bollshëm e të panjohur deri më sot, lëvizin ngjarjet dhe gurët e Atdheut, se populli është një. Para lexuesit dhe historisë dëshmohet për një dhembje gjithëkombëtare. Mu këtu qëndron edhe vlera e librit.
Deri vonë na ka bezdisë një pyetje: ata që bënë luftën, a pajtoheshin me atë çka ofronte shteti ideologjik? Leximi i vëmendshëm i librit nga kaptina në kaptinë, jep përgjigjen: Dogmën e vrazhdë të Moskës nuk e kishin pranuar një numër i madh i patriotëve e intelektualëve të ndërgjegjshëm, se kishin kuptuar lojën në kurrizin e një populli të varfër me pasoja tragjike. Nuk dëshmojnë për këtë vetëm burgjet dhe kampet, por dhe numri i madh i të zhdukurve. Në koalicionin antifashist shqiptarët u nisën: së pari për lirinë dhe bashkimin kombëtar dhe për ndërtimin e shtetit sipas kodit shqiptar; së dyti, shqiptarët bënë luftë edhe për lirinë e të tjerëve, pra për triumfin e njerëzores mbi të keqen, se kjo nuk i kërcënonte vetëm shqiptarët.
Mirëpo, ato që ndodhën më vonë ishin ngjarje të dhembshme, zhgënjyese; për pesë para na ishte bërë krenaria dhe dinjiteti ynë, serviliteti e poltronizmi kishin shuar gati edhe atë grimë guximi qytetarie. Në emër të ideologjisë despotizmi i egërsuar kishte fshirë edhe besimin në mes njerëzve. Kështu Shqipëria vinteshkonte gjithnjë e më e frikësuar, më e burgosur dhe më e përgjakur, duke humbur vazhdimisht diçka udhës. Këto çarje e tmerre i hasim nëpër faqet e “Ringjalljes”.
Librat e tillë grithin ndërgjegjen, këndellin dhe lirojnë qenien nga e keqja, kontribuojnë për rindërtimin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar, hapin horizonte të reja të tolerancës e mendimit plural shqiptar; në mbrojtje të kombit nga shfaqjet e ndryshme ideologjike; ngrisin moralin dhe kurajon qytetare. Po ashtu, realizimi i paqes e njerëzores dëshmon se shteti ideologjik ishte më së paku shtet shqiptar.
Me tekstet mbi masakrat e likuidimet e panumërta në trojet shqiptare, me afrimin e dokumentacionit të bollshëm mbi shkatërrimin e jetës materiale dhe shpirtërore – nga tempujt e besimeve tona e deri te zhdukja e patriotëve dhe intelektualëve me bindje pro evropiane ndaj kauzës kombëtare si dhe atmosfera e zymtë që shtrihej. Butka zhvesh diktaturën, e cila ishte bërë e frikshme përmes krimeve, dyshimeve dhe pabesive.
Ndoshta ky libër, paraqet një pjesë të vogël të historisë së absurdit gjatë sundimit të diktaturës. Nga kjo konkludojmë se fatkeqësia kombëtare vërtetë ishte aksident. Të bëmat e diktaturës para se gjithash lexohen si turp nacional.
Dua ta mbyll tekstin me një ngjarje rrënqethëse, që nuk lë vend për iluzione dhe amnistinë historike se “kohërat dhe rrethanat kanë qenë të tilla”. Këso iluzionesh hasen tek-tuk ende, sidomos në Kosovë. Por krimi nuk vjetrohet. Autori rrëfen për një ngjarje që nuk bën të mos ceket: në praninë e vetë shqiptarëve, diku në Devoll, që njihet për burrëri, Dushan Mugosha, i ardhur me mision “internacionalist” nga hapësirat e ish-Jugosllavisë kishte rjepur një djalosh 16 vjeçar. Atë e quanin Ali Mustafa Lumi. Përmes dokumentit, autori i librit na thotë: “Me majën e thikës ai (Dushan Mugosha) ia preu lëkurën në kërcirin e këmbës së majtë, siç bëjnë me derrat kur i rjepin, e më në fund, ia shoi cigarën në bebëza të syrit. S’u ngop dhe dy plumba ia zbrazi mbi trupin e tij të pajetë!”. Vëllami të “xhaxhait” e “internacionalistit” të Kominternës lakmi do ia kishin edhe “tigrat” e Arkanit…
E tillë ishte Shqipëria. E prerë në besë…
Libra të tillë do ketë se tërmete të mëdha ndodhen brenda e rreth nesh. Por ekziston frika se skajshmëria mos na shpie tek një diferencim i padëshiruar. Prapë atëherë shtegtim i ri për të gjetur të vërtetën nëpër arkiva e dëshmi të gjallësh e të vdekurish.
Në cilën dritë ta shoh figurën e Bajram Currit, kur po del se ata (bajraktarët, ca dhe të nderuar) Plakun e Maleve e kishin shpënë në vetëvrasje; na qenkan pak më ndryshe seç lëvizin të zymtë në poezinë brilante të F. S. Nolit, kushtuar tribunit popullor? Të pajtohemi se ajo që është thënë për familjen e Kryezive nga Gjakova, paska qenë lajthitje: rrenë na qenkan edhe dokumentacioni i arkivave të fqinjve? Si të shkruhet historia dhe nga të nisemi?
Megjithatë, jeta ndërron në të mirë të kauzës sonë. Është koha për të kapërcyer hendeqet jo vetëm brenda nesh.