E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë për shtëpi, bankat ulin në 60 për qind kreditimin dhe shtojnë procedurat

Forcimi i euros në tregun valutor shtrenjton interesat e kredive për shtëpi

Ervin KOÇI

Forcimi i monedhës së përbashkët europiane, euro, në tregun tonë valutor kohët e fundit ka shkaktuar dhe rritje të interesave për kreditë bankare në këtë monedhë. Kjo gjë ka bërë që të ulet ndjeshëm kredimarrja në banka, por, nga ana tjetër, ka sjellë edhe shtrenjtimin e çmimit të apartamenteve të reja, të cilat, po ashtu, shiten nga ndërtuesit ose pronarët në euro. Një fenomen tjetër që ka lidhje me të parën është dhe kërkesa për sasi më të mëdha kreditimi nga ana e atyre pak klientëve që marrin guximin në këtë kohë t’u drejtohen bankave për kredi për shtëpi. Këta klientë kërkojnë nga bankat që t’u kreditojnë deri në 100 për qind të vlerës së shtëpisë, duke pretenduar shuma jo të vogla, por krejt në të kundërt, bankat, jo vetëm që nuk po kreditojnë më si më parë, por bashkë me shtimin e kritereve rigoroze për kredimarrje, kanë ulur dhe sasinë e kreditimit duke kredituar deri në 60 për qind të shumës së apartamentit që kërkon të blihet nga klienti. Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, në total kredia e dhënë për individë për blerje të pasurive të paluajtshme ishte 8 miliardë lekë në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2009, nga rreth 20 miliardë lekë që ishte në 6 muajt e parë të 2008-s. Rënia rezulton në masën 57 për qind. Deri në mesin e vitit të kaluar bankat i joshnin klientët me oferta kredish për shtëpi, që arrinin edhe 5 për qind në vit në euro. Aktualisht, një ofertë për kredi për shtëpi në euro nuk mund ta gjesh me më pak se 8.5-9 për qind interes vjetor, ndërsa edhe më e vështirë është të të akordohet nga banka një kredi në euro, nëse të ardhurat i ke në lekë.

Rënia e kreditimit

Kredia në euro për pasuri të paluajtshme për individët ka rënë me 72 për qind me bazë vjetore në 6-mujorin e parë 2009, por dhe huaja në lekë për këtë qëllim ka rënë me 22 për qind. Në total, kredia bankare e dhënë për individët shënoi një rënie me bazë vjetore prej rreth 40 përqindësh në 6-mujorin e parë 2009, ku efektin kryesor e dha rënia e huas për shtëpi. Në totalin e kredisë për individë, peshën më të madhe gjatë 6 muajve të parë të vitit 2009 e zuri përsëri sektori i pasurive të paluajtshme, me rreth 40 për qind të totalit, nga 56 për qind që ishte kjo peshë në 6-mujorin e parë të vitit 2008. Kredia e re për pasurinë e paluajtshme për 6-mujorin e parë 2009 u ul me 62 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2008, duke përbërë sektorin me rënien më të lartë të huas.

Kriteret për kredi

Interesat e kredive në lekë dhe valutë janë rritur së bashku me kërkesat e bankave në lidhje me dokumentet që duhet të paraqesin klientët e ndryshëm (individë ose subjekte). Bankat nuk mjaftohen vetëm me disa dokumente, por ato u kërkojnë klientëve, madje edhe subjekteve të biznesit, një mori letrash, të cilat duhet të justifikojnë kërkesën për huamarrjen. Bashkë me interesat e kredive nga bankat e nivelit të dytë është rritur edhe interesi i bonove të thesarit, edhe pse politika e BSH-së gjatë vitit të fundit ka synuar të ulë interesat e parasë në tregun e brendshëm. BSH-ja ka ndërhyrë disa herë në treg duke ulur normën bazë të interesit në ekonomi, por kjo masë nuk ka ndikuar fare në uljen e interesave për kredimarrësit e thjeshtë. Shumë analiza tregojnë se interesat e kredive dhe depozitave në lekë varen më së shumti nga oreksi i qeverisë për borxh të brendshëm. Kur qeveria e rrit kërkesën për bono thesari, edhe interesat e kredive e depozitave rriten. Por, gjatë muajve të fundit, ndërsa interesat e bonove të thesarit janë rritur me rreth 50 pikë bazë, interesat e kredive janë rritur disa herë më shumë.

Rregullat për kreditë për klientët individë

Kërkesa të veçanta për kontratën e kredisë hipotekore për individin

1. Në rastin e një individi që aplikon për kredi hipotekore, banka është e detyruar t’i paraqesë atij informacionin standard parakontraktor të plotësuar dhe personalizuar sipas formatit të dhënë në aneksin 1, bashkëngjitur dhe pjesë përbërëse e kësaj rregulloreje.
2. Në çdo kontratë kredie hipotekore për individin banka plotëson kërkesat e parashikuara në Nenin 7 të kësaj rregulloreje, me përjashtim të kërkesës së shkronjës “k” të këtij neni.
3. Banka publikon në ambientet e saj dhe pajis individin me informacion në formë të shkruar mbi mënyrën e përllogaritjes dhe/ose të ndryshimit të normës së interesit të kredisë hipotekore për individin, duke i ofruar klientit si një nga mënyrat e kuotimit të kredisë hipotekore, indeksimin e normës së interesit të kësaj të fundit me normën bazë të interesit të Bankës së Shqipërisë për marrëveshjet e riblerjes dhe të anasjella të riblerjes (repo).

Kërkesa të përgjithshme mbi kontratat e kredisë

1. Kontratat e kredisë që përbëjnë objektin e kësaj rregulloreje bëhen në të gjitha rastet me shkrim dhe një kopje e kontratës së firmosur nga palët i jepet personalisht konsumatorit në momentin e lidhjes së kontratës, ose i dorëzohet apo dërgohet nga banka me postë të regjistruar në adresën e konsumatorit, brenda një periudhe prej 10 (dhjetë) ditësh pune nga nënshkrimi i kontratës.
2. Në rastin e çdo kontrate garancie që siguron shlyerjen e detyrimit që lind nga kontrata kryesore e kredisë, kopje e kontratës së garancisë dhe e kontratës së kredisë i jepet edhe garantuesit të kredisë, në rast se ky i fundit është një person i ndryshëm nga kredimarrësi.
3. Një kontratë kredie konsumatore në çdo rast përcakton qartë kushtet e lëvrimit, qëllimin e përdorimit të kredisë si dhe kushtet dhe afatet e shlyerjes së kredisë, së bashku me penalitetet përkatëse.
4. Kontrata e kredisë konsumatore përmban një dispozitë të veçantë për periudhën që konsumatori ka të drejtë të tërhiqet nga kontrata sipas përcaktimeve të Nenit 11 të kësaj rregulloreje.

Elementet që i nevojiten klientit për një kredi konsumatore

1. Kontrata e kredisë konsumatore përfshin elementet e mëposhtme:
a) qëllimin e kredisë; b) të dhëna të plota për identitetin dhe adresat e palëve kontraktore; c) vlerën totale të kredisë dhe kushtet për lëvrimin e saj; d) afatin e maturimit të kredisë; e) normën e interesit, kushtet që përcaktojnë mënyrën e zbatimit dhe përllogaritjes së kësaj norme, çdo indeks ose normë reference të zbatueshme, si dhe periudhat, kushtet dhe procedurat për ndryshimin e normës së interesit, duke përcaktuar dhe mënyrën e njoftimit të konsumatorit për çdo ndryshim të mundshëm; f) normën efektive të interesit dhe totalin e kostos së kredisë për konsumatorin, të llogaritur në kohën që lidhet kjo kontratë kredie:
i) të dhënat financiare dhe të gjitha supozimet e përdorura për llogaritjen e kësaj norme,
ii) kushtet sipas të cilave mund të ndryshojë kjo normë, ose iii) në rastet kur është objektivisht e pamundur të jepet norma efektive e interesit, konsumatorit i jepet informacion i mjaftueshëm në kontratën e shkruar për kostot/shpenzimet e kredisë; g) çdo shpenzim që nuk përfshihet në llogaritjen e NEI-t, por që do të paguhet nga konsumatori në rrethana të caktuara duke treguar qëllimin si dhe vlerën në rastet kur është e njohur; h) shumën e këstit, numrin dhe periodicitetin ose datat e çdo kësti (pagesave të konsumatorit) për të shlyer kredinë, dhe çdo shpenzim tjetër lidhur me dhënien dhe përdorimin e kredisë, të paraqitur në një plan shlyerjeje të kredisë; i) koston e mbajtjes së një llogarie apo të përdorimit të një mjeti pagese për transaksionet e lëvrimit të kredisë dhe të shlyerjeve/pagesave, dhe kosto të tjera lidhur me transaksionet e pagesave (kur është e aplikueshme); j) garancitë e vendosura për të siguruar ekzekutimin e kontratës së kredisë dhe sigurimi i jetës ose i pronës (kur janë të aplikueshme); k) të drejtën e tërheqjes nga kontrata e kredisë, sipas përcaktimit të nenit 11 të kësaj rregulloreje; l) të drejtën për shlyerjen e kredisë para afatit dhe të përfitimit të një reduktimi të kostos totale të kredisë; m) kostot/penalitetet si dhe procedurat dhe metodologjinë e llogaritjes së tyre, të cilat konsumatori duhet t’i paguajë në rastin e shlyerjes së pjesshme ose të plotë të kredisë, përpara afatit të maturimit; n) formën juridike të vendosjes së kolateralit, vlerësimin dhe mënyrën e vënies në ekzekutim të tij (kur është i aplikueshëm); o) penalitetet lidhur me mosrespektimin e detyrimeve kontraktore, të cilat nuk janë përfshirë në llogaritjen e normës efektive të interesit, por të cilat paguhen nga konsumatori në rrethana të caktuara si dhe përcaktimi i këtyre rrethanave. Në rast se njihet vlera e saktë e këtyre penaliteteve që në momentin e lidhjes së kontratës jepen shumat respektive dhe në rast të kundërt, jepet metoda e përllogaritjes së tyre.
2. Në rastin e kredisë konsumatore, e cila shlyhet me këste, si pjesë të kontratës ose si aneks të saj, banka paraqet edhe: a) planin e shlyerjes së kredisë në momentin e dhënies së kredisë; b) mënyrën e llogaritjes së normës efektive të interesit (duke përfshirë në llogaritje të gjitha pagesat e paracaktuara që kredimarrësi paguan në momentin e marrjes së kredisë dhe gjatë gjithë kohë vazhdimit të saj), duke dhënë një shembull të detajuar.
3. Një bankë mund të përfshijë në kontratë me vullnetin e saj edhe informacion tjetër shtesë, përveç informacionit të përcaktuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›