Cana “pushton” Sandërlendin, qyteti çmendet për shqiptarin
Dash Frashëri
Në tri ndeshjet e para të Premier Ligës, është votuar dy herë lojtari më i mirë i skuadrës. Lorik Cana ka fituar zemrën e tifozerisë së Sanderlendit, por dhe simpatinë e bashkëlojtarëve të skuadrës së tij të re britanike. Cana po ecën në të njëjtat gjurmë, si te ish-ekipi i tij francez, Olimpiku i Marsejës. I votuar si lojtari më i mirë i skuadrës së tij në ndeshjen e humbur kundër Çelsit (1-3), javën e kaluar, - në atë takim mesfushori shqiptar luajti me dorën e dëmtuar - Loriku bëri një tjetër paraqitje të shkëlqyer në fitoren 2-1 kundër Bllekbërnit, e dyta pas asaj kundër Boltonit (1-0). Edhe pas kësaj ndeshjen në sondazhin e organizuar në faqen zyrtare të klubit, Cana me 36.5% të votave të votuesve, duke lënë pas autorin e njërit prej golave, Kenuin Xhons (33.8%).
I dashuruar me dylfytimet - Partneri i Lorik Canës në mesfushë, Li Katermol, i mbërritur gjatë kësaj vere nga Uigani, thotë se “Lorik Cana është një djalosh shumë i fuqishëm, i cili i dashuron dyluftimet më shumë se unë”. Katermole dhe Cana kanë formuar një dyshe të frikshme dhe efikase në mesfushën e Sanderlendit, duke ua bërë më të vështirë punën skuadrave kundërshtare. “Ishte aftësia ngacmuese dhe përqendrimi i mesfushorëve Lorik Cana dhe Li Katermoli, që ndikuan jo pak në ecurinë e lojës”, - shkruan gazeta britanike “The Guardian”, që nënvizon se Sanderlendit i mungoi sezonin e kaluar pikërisht agresiviteti në lojë. “Ne na nuk kishim mjaftueshëm fuqi fizike për të përballuar disa nga ekipet e Premier Ligës”, - tha trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus.
Dyshe e fortë agresive - Me dy fitore në tri javët e para, Sandërlendi po dëshmon se ditët e “këqija”, kur regjistronte seri negative humbjesh tashmë i përkasin së kaluarës. Trajneri i Sandërlendit ka sjellë “lojtarë të çeliktë” gjatë merkatos verore, të cilët kanë sjellë tjetër frymë në skuadër. “Katermole dhe Cana kanë sjellë një avantazh kompetitiv në skuadër dhe ne dëshirojmë të ndërtojmë një ekip që të jetë gjithmonë gati dhe të llogaritet nga kundërshtarët. Ju mund ta shihni se pa një dyshe si ajo, kundër ekipeve si Bllekbërni do të ishim gjithmonë nën presion. Ne luajtëm kundër Boltonit dhe Bllekbërnit, dy nga ekipet më të vështira për të luajtur kundër tyre, duke i mundur të dyja. Kemi bërë një start të mrekullueshëm”.
Brus synon kupën - Trajneri i Sandërlendit, Stiv Brus, pohoi se skuadra që ai drejton e ka marrë seriozisht pjesëmarrjen në kupën e Anglisë, “Carling Cup”. “Është praktikisht e pamundur për ne të përpiqemi të fitojmë Premier Ligën, por një gjë qe ne mund të bëjmë është të fitojmë një kompeticion kupe. Janë pesë, gjashtë ndeshjeje dhe ju kurrë nuk e dini, mund të keni fat në short dhe gjithçka ndodh. Jam duke e marrë këtë kompeticion aq seriozisht sa mundem”.
5 800 000 sterlina - Lorik Cana është një nga nëntë blerjet sezonale të Sandërlendit. Kartoni i mesfushorit shqiptar u ble nga Olimpiku i Marsejës në shumën e 5 800 000 sterlinave. Frajzer Kempbell u ble nga Mançester Junaitid për 4 100 000 sterlina, Darren Bent nga Totenhemi për 11 800 000 sterlina dhe Li Katermole nga Uigani për 7 000 000 sterlina. Anderson, Halford, O’Donavan dhe Kolbek mbërritën si lojtarë të lirë.
SONDAZHI
Kush ishte lojtari më mirë kundër Bllekbërnit?
Pesë të parët
1. Lorik Cana 36.5%
2. Kenuine Xhons 33.8%
3. Li Katermole 20.3%
4. Stid Malbrank 04.0%
5. Marten Fulop 02.5%
#. Të tjerët 02.9%
Sondazhi është organizuar nga faqja zyrtare e klubit të Sandërlendit. Votues: 1262
Berisha, ende në hije te Arminia
Besart Berisha ende nuk i ka kënaqur drejtuesit e Arminia Bielefeldit me paraqitjet e tij, edhe pse sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka luajtur si zëvendësues në vetëm dy nga tre takimet e skuadrës së tij në Bundesliga 2. Së fundi, Berisha luajti në humbjen 1-2 kundër Augsuburgut të Edmond Kapllanit (durrsaku nuk u aktivizua në këtë takim), por loja e tij, sipas gazetës gjermane “Noje Vestfalishe”, ishte larg asaj që pritej. Berisha hyri në lojë në minutën e 63-të. Në këtë takim asistoi edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe. Arminia ka grumbulluar vetëm 3 pikë në tre ndeshje.
Ujkani, prezantim prej lideri
Portieri i Novarës dhe Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, bëri një paraqitje të shkëlqyer në fitoren 2-0 të skuadrës së tij në transfertën kundër Filjenes, e vlefshme për javën e parë të Serisë C1 apo Lega Prima Divizione siç quhet tani në Itali. Kosovari bëri disa pritje të shkëlqyera, duke mos lejuar njollosjen e portës.
25 Gusht 2009