Kredite per shtepi tashme ne leke
Muaji prill ka shënuar një kthesë në ecurinë e kredisë për pasuri të paluajtshme për individë. Kredia për blerjen e një banese nga individët është marrë në monedhën vendase lekë, ndryshe nga tendenca e mëparshme , ku për këto lloj kredie mbizotëronte euro. Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, stoku i huasë për pasuri të paluajtshme në lekë në muajin prill është rritur me rreth 1% me bazë mujore, duke qenë e vetmja monedhë që ka shfaqur tendencë në rritje. Stoku i kredisë për shtëpi në valutë, dhënë për individët në prill është ulur me gati 0.5% me bazë mujore, sipas raportit statistikor mujor të bankës qendrore. Në krahasim me dhjetorin 2009, stoku i huasë në lekë është rritur me 20%, ndërsa ai i kredisë në euro është ulur me rreth 4%. Megjithatë kredia për shtëpi në valutë vazhdon të mbizotërojë, duke përbërë 67% të totalit të stokut të huasë dhënë për pasuri të paluajtshme për individët. Që pas viteve 2003-2004, monedha e preferuar e individëve që donin të blinin një pasuri të paluajtshme ishte euro, për faktin se shtëpitë shiteshin në këtë monedhë, por edhe bankat kishin oferta të mira, me norma interesi relativisht të ulëta për euron, në krahasim me lekun. Pas vitit 2009, kur euro u forcua ndjeshëm, individët u ndërgjegjësuan për rrezikun e kursit të këmbimit, ndërkohë që dhe bankat, të imponuara dhe nga banka qendrore filluan të ndryshonin politikat e tyre duke favorizuar apo imponuar te individët marrjen e huasë në monedhën në të cilën ata i kanë të ardhurat. Në total, kredidhënia për pasuri të paluajtshme për individë është ngadalësuar ndjeshëm vitet e fundit. Stoku i huasë në euro dhe lekë për pasuri të paluajtshme për individë në fund të muajit prill është rritur vetëm me 0.5% në krahasim me dhjetorin 2011.