Lotaria kombetare ne parlament

Opozita vazhdoi akuzat e saj për lotarinë shtetërore edhe në seancë plenare. Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe akuzoi se ky proces nuk është transparent, dhe mbi të gjitha nuk do të sjellë avantazhe për buxhetin e shtetit, por për kompaninë private, e cila do të fitojë licencën.
Në përgjigje të Braçes, deputeti i Partisë Demokartike, Florian Mima deklaroi se prirja e opozitës për të hedhur baltë mbi një proces tejet i rregullt, vjen si pasojë e skualifikimit të kompanive pranë kësaj force politike. Sipas tij, buxheti i shtetit është përfituesi kryesor i këtij aktviteti.
Sipas zotit Mima nuk bëhet fjalë për asnjë konflikt interesi me konsulentin që përcaktoi kriteret, pasi ai nuk ka pasur asnjë kontakt direkt me Ministrinë e Financave. Lidhja me këtë konsulent prestigjoz, sipas Mimës, u bë përmes sekretares së Përgjitshme të Shoqatës së lotarive shteterore europiane.
Tenderi për licencën e lotarisë kombëtare u zhvillua disa ditë më parë dhe në garë morën pjesë dy kompani. Procesi nuk është mbyllur ende, ndërsa është në pritje shpallja e fituesit.