E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skavica, qeveria i hoqi digën projektit

Hidrocentrali që duhej të shpëtonte Shkodrën nga përmbytja u ndryshua

Qeveria shqiptare pretendoi gjatë ditëve të fundit se shkaku i përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës ishte mungesa e hidrocentralit të Skavicës, i cili u projektua gjatë regjimit komunist si një vepër energjetike mbi lumin Drin, por nuk u ndërtua kurrë. Sipas zyrtarëve të ndryshëm, Skavica do të shërbejë si një liqen rezervuar për të mbajtur më shumë ujë që sillen nga Drini i Zi, gjë që do të eliminojë edhe nevojën për shkarkime në Vaun e Dejës, si edhe do të shmangë përmbytjet. Por vetë qeveria e ka hedhur poshtë projektin fillestar të këtij hidrocentrali dhe ka pranuar një projekt të ri privat, që synon të ndërtojë tunele, duke ia hequr digën dhe aftësinë ujëmbledhëse. Qeveria ka hapur dy herë një tender për të dhënë me koncesion këtë hidrocentral, por në të dyja herët është ofruar ndërtimi i tij pa digë, gjë që, sipas disa ekspertëve, ia ka hequr Skavicës funksionin strategjik si rezervuar, qoftë për të magazinuar energji, qoftë për të shmangur përmbytjet në zonën e Nënshkodrës. Të dy tenderët kanë dështuar dhe projekti ka mbetur deri tani pezull.
Hidrocentrali i Skavicës, sipas projektit origjinal të ndërtuar në kohën e komunizmit, do të prodhonte 1.2 miliardë kilovat/orë, por do të ndihmonte edhe në rritjen e prodhimit në Fierzë e në hidrocentralet e tjera. Kostoja e tij vlerësohet se arrin në minimalisht 600 milionë euro. Qeveria shqiptare ia dha fillimisht me koncesion një kompanie italiane në vitin 2004. Kompania italiane e ndryshoi projektin fillestar dhe vendosi të shfrytëzojë rrjedhën e sipërme të Drinit për prodhim energjie me rënie të lirë. Në këtë rast, projekti është më rentabël për investitorin, por më pak i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike për Shqipërinë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›