E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krejt zi

Isa Mustafa sheh vetëm zi për njëqind ditët e para të Qeverisë Thaçi. E quajti të paskrupullt, mashtruese, të dështuar, pa strategji dhe të dëmshme për qytetarët. Akuzoi se Qeveria ia “prangosi” vartësit komunalë të dyshuar për keqpërdorime. Zyrtarët e Qeverisë nuk i kanë komentuar akuzat e Mustafës Nga Faton Ismajli më 03 qershor 2011 në ora 08:38

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka lëshuar akuzat më të rënda në drejtim të funksionimit njëqindditësh të Qeverisë Thaçi II.

Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi e ka quajtur të paskrupullt, mashtruese, të dështuar, pa strategji, të dëmshme për shtetin dhe që po e varfëron dhe diskrediton qytetarin.

Në një konferencë për media, të mbajtur të enjten në zyrat e Shtabit të LDK’së, Mustafa ka numëruar “dështimet” e Qeverisë së koalicionit PDK – AKR, e cila është formuar në fund të shkurtit. Derisa ka hedhur kritikat në drejtim të Ekzekutivit, Mustafa ka prezantuar një pjesë të ekspertëve të LDK’së të cilët do ta vlerësojnë punën e koalicionit qeveritar. Në këtë grup nuk është parë asnjë nga zyrtarët e LDK’së që kanë qenë pjesë e pushtetit të kaluar.

“LDK’ja vlerëson se Qeveria Thaçi II, gjatë njëqind ditëve të para të këtij mandati, është marrë vetëm me vetveten, dhe përfundimisht me vetveten. Gjatë këtyre njëqind ditëve, nuk pati asnjë përparim në zhvillimin ekonomik. Nuk është shënuar progres në zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë. Nuk pati progres në rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën në vendet e tjera”, ka vlerësuar Lideri i LDK’së.

“Kjo Qeveri nuk është për qytetarin, nuk është për shtetin, por është për vetveten. Ajo i tregoi prirjet e saj për pranga dhe u dëshmua se është Qeveri e prangave. Është qeveri që di të diskriminojë dhe të diskreditojë qytetarët e saj për epshet e saj pushtetmbajtëse. Një qeverisje e tillë nuk i nevojitet Kosovës”, ka shtuar Mustafa.
Ai ka thënë se i vetmi “sukses” i Qeverisë është shtimi i numrit të pozitave qeveritare, të cilat i quajti si vende azili për njerëzit e koalicionit qeverisës.

“Shtimi i posteve është bërë - jo për ta qeverisur mirë Kosovën, por për të siguruar azil për koalicionin e brishtë qeveritar. Unë dyshoj se z. Thaçi diti se kush çfarë punon dhe çfarë duhet të punojë në Qeverinë e tij, gjatë këtyre njëqind ditëve”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK’së dhe i Prishtinës përsëri është ndalur te arrestimet e gjashtë vartësve të tij në Komunë, nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare. Këto arrestime, Mustafa ia ka atribuuar Qeverisë.

“Qeveria Thaçi, po ashtu, shprehu prirjet e saj të njohura për të keqpërdorur njerëzit nga institucionet e pavarura të Kosovës, të cilat u ndërtuan me mund gjatë kësaj periudhe për të burgosur, për të luftuar dhe për të paralizuar kundërshtarët e tij politikë”, ka thënë ai.

Por, çka ka bërë Qeveria për Kryeqytetin në njëqindditëshin e punës së saj?
Isa Mustafa ka dhënë versionin e tij.

“Na i ka burgosur njerëzit që kanë punuar në infrastrukturë, na ka bllokuar për një periudhë të gjatë që ne të mos mund të punojmë, sepse kemi qenë të bllokuar totalisht. Na i ka lëshuar një pjesë të policisë në qafë, e cila e ka penguar punën e organeve dhe asgjë tjetër nuk na ka ndihmuar”, ka akuzuar Mustafa.

Lideri i LDK’së ka qenë kontradiktor në akuzat e bëra në drejtim të Qeverisë dhe vlerësimet për punën e policisë dhe institucioneve të drejtësisë.

Kësaj radhe, Mustafa i ka tërhequr fjalët e veta për policinë dhe drejtësinë, për të cilat më herët kishte thënë se po i shërbejnë PDK’së dhe Qeverisë.

“Ne kemi besim në Policinë e Kosovës në përgjithësi, kemi besim në organet e drejtësisë. Në qoftë se nuk kemi besim në organet e drejtësisë, atëherë ne e humbim besimin në shtetin e Kosovës. Por, konsiderojmë se strukturat informale nuk mund të veprojnë brenda institucioneve kushtetuese dhe institucioneve ligjore dhe të gjitha ato duhet ta marrin përgjegjësinë së bashku me ne për zbatimin e ligjit në Kosovë”, ka thënë ai.

Shefi i LDK’së kësaj radhe nuk është lëshuar në akuza kundër SHIK’ut.

“Sa i përket Prishtinës, nuk mund të them ka apo s`ka SHIK, mirëpo unë konsideroj se në Prishtinë duhet të veprojnë institucionet legjitime”, ka thënë ai.

Lideri i partisë më të madhe opozitare ka rezervuar kritika edhe për politikën e jashtme dhe mungesën e njohjeve.

“Në këtë Qeveri nuk u qartësua se kush udhëheq politikën e jashtme të vendit. Po rezulton se njohjet e Kosovës gjatë këtyre njëqind ditëve ishin zero. Prandaj, edhe rezultatet e politikës së jashtme nuk mund të jenë më të mëdha, sepse zeroja, edhe në mbledhje, edhe në shumëzim e jep numrin zero”, ka thënë ai.

Për bisedimet me Serbinë, Mustafa ka përsëritur se janë të dëmshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës, derisa ka shfaqur dyshime se ato po rrëshqasin nga teknike, në politike.
“Bisedimet po marrin kahen e një procesi të pastër politik në dobi të Serbisë dhe në dëm të Kosovës”, shtoi Mustafa.

Një pjesë të vlerësimeve, lideri i LDK’së ia ka kushtuar fushës së ekonomisë.
Sipas vlerësimeve të Mustafës, Qeveria e ka dëmtuar shtetin me ngrirjen e raporteve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke humbur milionat e premtuara nga organizatat ndërkombëtare.

“Prandaj, edhe ky rast tregoi se krerët e kësaj qeverie janë të paskrupullt. Ata tentojnë të mashtrojnë dhe të shikojnë në sy. Ata humbjen e shpallin si fitore. Ata rënien e shpjegojnë si ngritje dhe ata shkëputjen e marrëveshjes e shpjegojnë si lidhje të një marrëveshje të përparuar dhe të qëndrueshme”, ka thënë ai.

Ndryshe, Expressi ka kontaktuar me tre zyrtarë të PDK’së që janë në Qeveri për t’i komentuar akuzat e LDK’së, mirëpo asnjëri prej tyre ka dashur të flasë.

Mburret për marrëveshjen me Thaçin

Lideri i LDK’së ka folur edhe për marrëveshjen PDK, LDK dhe AKR për tejkalimin e krizës politikë për zgjedhjen e Presidentit. Ai ka thënë se mburret me këtë marrëveshje pasi ka arritur të tejkalojë krizën politike.
“Unë mburrem me Marrëveshjen, të cilën e kemi bërë, sepse ajo marrëveshje s’është bërë në interes të asnjë subjekti politik. Por është bërë në interes të vendit dhe të stabilitetit të shtetit”, ka thënë ai.

Ekspertët e Isës

Lideri i LDK’së ka prezantuar Ekipin për qeverisje demokratike, në mesin e të cilëve janë deputeti Arben Gashi, nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti, Adnan Abrashi, Kujtim Shala, Vjosa Osmani, Xhavit Beqiri, Gazmend Muhaxhiri dhe ish-udhëheqësi i QKU’së, Avdyl Krasniqi.
“LDK’ja para interesave partiake do të ketë shtetin e Kosovës. Këtë do ta bëjmë edhe nëpërmjet Ekipit për qeverisje demokratike. Ky ekip do t’i rrijë karshi qeverisjes jodemokratike dhe do t’i mbrojë interesat e qytetarëve dhe interesat e Kosovës”, ka deklaruar Mustafa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›