Dr. hajnat
Në mënyrën më të poshtër e të paturpshme, shtatë mjekë nga Rahoveci dyshohet se kanë shitur gjithçka nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë qytet, në mënyrë që të përfitojnë materialisht.
Pa pikë turpi, këta mjekë, sipas policisë, dyshohet se kanë marrë derivate për nevoja të tyre personale, kanë shitur pajisje medicinale nga automjeti i emergjencës, si pajisjen e aparatit EKD, defibrilator monitor dhe pajisjet përcjellëse.
Por, mjekët hajna nuk janë ndalur me kaq. Ata dyshohet edhe për shitjen e pajisjeve të rëntgenit, ngritjen e gradave pa kritere të përcaktuara, si dhe pagesa për punë jashtë orarit të punës së kujdestarisë, të cilat janë dhënë në kundërshtim me rregulloren.
Policia ka konfirmuar se të dyshuarit janë arrestuar për për shpërdorim dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.
“Të enjten në orët e pasdites, hetuesit policorë nga drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit kanë bërë arrestimin e shtatë personave nën dyshimin e bazuar se kanë kryer veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare nga neni 339 dhe Përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës nga neni 340 i Kodit Penal të Kosovës”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Të gjithë të dyshuarit kanë qenë punonjës në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Rahovec.
Burime të Expressit brenda Policisë kanë thënë se të gjithë të dyshuarit janë arrestuar në vendin e tyre të punës.
“Të gjithë këta janë arrestuar në QKMF. Hetimet ndaj tyre kanë filluar gjashtë muaj më parë. Për të gjitha marifetet dhe dallaveret që kanë bërë janë të dëshmuara me fakte dhe prova materiale, janë të dokumentuar edhe me letra”, thotë burimi për gazetën.
Policia zyrtarisht ka thënë se hetimet lidhur me këtë rast kanë filluar muaj më parë dhe njësiti hetimor në Prizren, gjatë hetimeve të zhvilluara, ka siguruar prova të mjaftueshme se të arrestuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale, duke shpërdoruar detyrën zyrtare në mënyra të ndryshme.
Hetimet në lidhje me këtë rast janë duke vazhduar, ndërkohë që në konsultim me prokurorin publik të Qarkut në Prizren, të gjithë të dyshuarve iu është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.
Keqpërdorimet të cilat i kanë bërë këta të dyshuar janë:
Shpërdorimit me derivate (kanë marr derivate për nevoja private), shitja e pajisjeve medicinave nga automjeti i emergjencës (pajisje aparati EKG, defibrilator monitor dhe pajisjet përcjellëse), shitja e pajisjeve të rëntgenit, ngritja e gradave të punëtorëve pa kritere më parë të përcaktuara, pagesat për punë jashtë orarit të punës (kujdestarit të cilat janë dhënë në kundërshtim me rregulloren).
Të arrestuarit
Policia nuk i ka dhënë identitetet e plota të të arrestuarve, por Express ka arritur të sigurojë ato. Të arrestuarit janë:
Ejup Zeka, lindur më 1960
Avdyl Hoxha, lindur më 1962
Rexhep Vuçitërna, lindur më 1954
Agim Ejupi, lindur më 1975
Fatmir Daka, lindur më 1972
Selajdin Rama, lindur më 1962
Shani Vuçitërna, lindur më 1959