Në Mitrovicë mbyllen shtatë lokale të lojërave të fatit
Të gjitha subjektet afariste që kanë për bazë lojërat e fatit janë inspektuar nga inspektorët komunal të Mitrovicës të enjten, në një aksion të ndërmarrë nga kjo drejtori.
“Kemi inspektuar 27 subjekte afariste që merren me lojëra të fatit dhe aty kemi gjetur shumë parregullsi”, ka thënë drejtori i Drejtorisë për Inspekcion, Lulzim Zeqiri.
Sipas tij, në këtë aksion janë mbyllur 7 subjekte, si dhe ndaj një numri tjetër janë shkruar fletëparaqitje për shkak të mungesës të dokumentacionit.
“Subjektet janë mbyllur përkohësisht nga inspektorët e Ministrisë së Financave për lojërat e fatit, të cilët i kanë ardhur në ndihmë Drejtorisë së Inspekcionit”, ka thënë kreu i Inspektorëve të Mitrovicës.
Ai shtoi se kjo drejtori ka marrë edhe një aksion për largimin e një numri të caktuar të kioskave në afërsi të lumit Lushta, ku në atë pjesë do të ndërtohet një rrethrrotullim.
Zeqiri tha se në kuadër të ruajtjes së shëndetit të konsumatorëve, kjo drejtori që nga e enjta ta filluar aksionin gjithëpërfshirës për largimin e të gjithë shitësve ambulantë nga sipërfaqet publike, si dhe largimin e të gjitha produkteve ushqimore dhe të tekstilit që janë të ekspozuara.
Sipas tij, aksioni ka për qëllim futjen e tregtarëve ambulantë në treg, e me këtë edhe ruajtjen e shëndetit publik të qytetarëve në përgjithësi.
“Tani kur temperaturat po ngritën, inspekcioni duhet të jetë shumë më efikas, sepse mund të vijë deri tek ndonjë epidemi për shkak të ekspozimit të mallrave ushqimore në rrugë”, ka thënë Zeqiri.
Ai ka paralajmëruar shitësit ambulant të rrugëve dhe nëse ata nuk binden, atëherë do të pasojë konfiskimin i mallit, gjobitja, si dhe mbyllja e dyqaneve për shkak të mos respektimit të kushteve higjieno-sanitare.
Ditë më parë kjo drejtori nga rrugët dhe oazat e qytetit të Mitrovicës ka larguar mbi 40 kioska, të cilat ishin vendosur pa leje në tërë qytetin e Mitrovicës./kosovapress/