E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krematoriumi i QSUT, problem për banorët

Banorët prej muajsh bashkëjetojnë me aromën e keqe dhe retë e tymit që dalin nga krematoriumi. Institucionet nuk marrin përsipër zgjidhjen e problemit


Mbetjet e qendrës spitalore digjen në krematoriumin e vendosur pak metra larg rrugës kryesore


Një nga zonat më të mbipopulluara të kryeqytetit, mund të konsiderohet pa frikë edhe zona e quajtur ndryshe, "Kryqëzimi i farmacisë 10". Aty gjenden shumë apartamente banimi, një aktivitet tregtarë shumë i zhvilluar, dhe pak metra me tej është edhe spitali më i madh në vend.


Për qytetarët që banojnë në këtë zonë shqetësimi më i madh nuk është as zhurma e trafikut, as mbetjet e të ashtuquajturit tregu i madh industrial, por ndotja që shkaktohet nga aktiviteti i spitali. Fare pranë rrugës kryesore, pas godinës së spitalit Onkologjik, gjendet krematoriumi (ose furra) e QSUT-së, ku digjen gjithë mbeturinat e spitalit.


Kjo furre është shndërruar edhe në shqetësimin më të madh të banorëve, pasi aroma që lëshohet gjatë kohës që digjen mbeturinat është shumë e keqe, dhe për më tepër qëndron në ajër për një kohë të gjatë.


Për këtë arsye banorët thonë se për ditë të tëra nuk munden të hapin dritaret e apartamenteve. Madje, për shkak të tymit që del nga oxhaku i krematoriumit, nuk mund të nxjerrin as teshat për t'u tharë në ballkonet e shtëpive.


Në këtë furrë, sipas infermiereve, digjen mbetjet spitalore dhe si të tilla ata klasifikojnë mjetet e mprehta, me të cilat janë kryer operacionet, veshjet që përdoren gjatë operacioneve, shiringat, mbetjet e trupit, gjaku etj. Këto hidhen në kosha të vçantë, të cilat paketohen dhe më pas depozitohen në krematoriumin e spitalit.


Mimoza, nënë e dy djemve, shtëpia e së cilës gjendet pranë kryqëzimit të rrugës së Dibrës, tregon se në këtë zonë jetesa është bërë shumë e vështirë për shkak të ndotjes që vjen nga spitali.


Ajo tregon se banorët e kësaj zone e kanë kundërshtuar që në projekt ngritjen e këtij krematoriumi pranë një zone të banuar, por zëri i tyre nuk është marrë parasysh nga askush. Madje, edhe pas përfundimit të punimeve të krematoriumit, kur pasojat e funksionimit të tij u ndjenë edhe më tepër, ankesat e banorëve sërish nuk u morën parasysh.


Banorët e kësaj zone kanë disa muaj që përpiqen që këtij problemi t'i gjejnë në zgjidhje. Ata tregojnë se drejtoria e QSUT-së u ka "dhënë duart", duke u thënë që nuk është kompetencë e saj zgjidhja e këtij problemi, por e Institutit të Shëndetit Publik. Me shpresën se te ky institucion do të gjenin një zgjidhje ju drejtuan këtij institucioni, por as aty problemi nuk gjeti zgjidhje. Në këtë institucion janë gjendur përpara një kërkese.


Drejtuesit e ISHP u kanë kërkuar një peticion me firmat e gjithë banorëve të zonës, në mënyrë që të nisin matjet për të përcaktuar ndotjen e mjedisit. Një kërkesë të cilën banorët e kanë cilësuar si të çuditshme dhe për këtë arsye i janë drejtuar një tjetër institucioni, Bashkisë së Tiranës. Por, duke qenë se qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", nuk është nën varësin e bashkisë as aty nuk u gjend një zgjidhje.


Ndërkohë, krematoriumi vazhdon punë e tij të përditshme të djegies së mbeturinave, pavarësisht problemeve që u shkakton qytetarëve dhe banorët pavarësisht përgjigjeve negative që kanë marrë thonë se do të trokasin në çdo institucion, derisa dikush nga të zgjedhurit e tyre t'i ndihmojë për të gjetur një zgjidhje.

Rreziqet


Nëse mbetjet nuk menaxhohet me kujdes, ato mund të shndërrohen në burim sëmundjesh për banorët, ku më të rrezikuar mbeten fëmijët. Sipas mjekëve, mbetjet spitalore mund të shkaktojnë sëmundje të tilla si Hepatiti A, B, C, Tifoja, AIDS-i, dizenteria etj. Qytetarët, të cilët kanë kontakt me këto mbetje, rrezikojnë të preken na infeksionet të ndryshme.


Detaje

Mbeturinat digjen në temperaturën 800 gradë celsius
Brenda një ore mund të digjen deri në 60 kilogramë mbetje
Krematoriumi mund të punojë deri në tetë orë në ditë, për djegien e mbeturinave


Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›