"Albademil" 2.4 mln borxh Uzinës së Gramshit
Gjykata: "Albademil" t'i paguajë borxhin Uzinës Mekanike në Gramsh, për demontimin e 14 mijë predhave të kalibrit 100 mm
TIRANË- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet, me kërkesë të Uzinës Mekanike në Gramsh (UMG ), "urdhëroi" Zyrën e Përmbarimit të ekzekutojë vendimin e formës së prerë, që "Albademil" me administrator të pandehurin Mihal Delijorgji t'i paguajë uzinës së Ministrisë së Mbrojtjes shumën prej rreth 2.4 milionë lekë të reja. Kjo për shkak të mospagesës së shërbimit të demontimit të një sasie predhash në këtë Uzinë, për llogari të "Albademil".
Lajmi konfirmohet nga burime të gjykatës, ndërsa vendimi është dhënë nga gjyqtarja e vetme e çështjes, Elbana Lluri, pas shqyrtimit të kërkesës së UMG -së, vendosi të pranojë kërkesën.
Uzina Mekanike e Gramshit e drejtuar nga Fiqiret Mato (i pandehur në procesin "Gërdeci"), që përfaqësohej nga avokati Ulusi Bici kishte bërë një padi me objekt "Lëshimin e urdhrit për ekzekutimin e vendimit Nr.10745 të datës 21 dhjetor 2009", të Gjykatës së Tiranës. Gjyqtarja Lluri ngarkoi zyrën e Përmbarimit për ndjekjen dhe zbatimin e vendimit që ka marrë formën e prerë me 5 janar 2010.
Sipas vendimit, "Albademil" duhet t'i paguajë UMG -së shumën prej rreth 2.4 milionë lekësh, si detyrim mbi bazën e kontratës së shërbimit të 25 shkurtit 2008, e firmosur nga drejtuesi i uzinës dhe administratori i "Albademil" Delijogji. Ky i fundit tashmë ndodhet i izoluar në paraburgimin "Jordan Misja" (313) në Tiranë si i pandehur në procesin e Gërdecit.
Sipas Llurit, vendimi i 21 dhjetorit 2009 ku është vendosur që pala e paditur, "Albademil" të paguajë detyrimet karshi UMG -së, për demontimin e predhave që kjo e fundit ka bërë për llogari të kompanisë private, është titull ekzekutiv, i detyrueshëm për zbatim.
Ndërkohë, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë "Albademil" kanë pretenduar se ky vendim nuk mund të ekzekutohet pasi pasuritë e "Albademil" janë sekuestruar me vendim të gjykatës për llogari të procesit penal të Gërdecit.
Vendimi
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, të firmosur me 21 dhjetor 2009 po nga e njëjta gjyqtare, kompania "Albademil" kishte firmosur një kontratë shërbimi me Uzinën Mekanike Gramsh për "Shërbimin e demontimit të predhave të artilerisë së kalibrit 100 mm në sasinë 40.380 copë".
Kjo kontratë shërbimi është firmosur më 25 shkurt 2008 dhe që nga kjo ditë, ushtarakët e kësaj uzine kanë filluar punën për demontimin e predhave për llogari të kompanisë "Albademil".
Kjo e fundit për çdo 6- 7 mijë predha të demontuara duhej të paguante shërbimin në llogarinë bankare. Sipas procesverbalit të 27 marsit 2008 të mbajtur nga komisioni i Uzinës Mekanike, ishin demontuar 14 mijë predha 100 mm.
Nga çmontimi i tyre "Albademil", ka përfituar rreth 4310 kg unaza bakri, 17 mijë e 600 TNT, dhe 136 kg ekzogjen, si dhe 14 mijë predha skrap. "Albademil" nëntë ditë para shpërthimit të fabrikës së Gërdecit tërhoqi nga e Gramshi 14 mijë predha skrap, dhe me 11 mars 2008 (4 ditë para shpërthimit) 7 mijë kg TNT (tritol).
Nga ekspertimi kontabël i 31 marsit 2008, vlera e shërbimit të kryer nga UMG për demontimin e sasisë së predhave, është 2.3 milionë e 96 mijë lekë. Këtë shumë kompania "Albademil", duhet t'ia paguajë Uzinës, pasi nuk kishte bërë asnjë pagesë për gjatë gjithë punës, duke mos respektuar kontratën e datës 25 shkurt 2008.