E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kremlini: Furnizimet me armë perëndimore po zgjasin vuajtjet për ukrainasit

Furnizimi me armë perëndimore në Ukrainë do të “shtojë dhimbje” dhe “zgjat vuajtjen” për ukrainasit, tha të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Duke komentuar vendimin e Francës për të dorëzuar automjete të blinduara luftarake në Ukrainë, Peskov tha se nuk ka kuptim të flitet vetëm për furnizimet franceze, pasi “Evropa kolektive, SHBA dhe NATO pompuan dhjetëra miliarda dollarë në Ukrainë përmes furnizimit me armë”.

“Dorëzimet mund t’i shtojnë dhimbje popullit ukrainas, të zgjasin vuajtjet e tij. Por ata nuk mund të ndryshojnë rrënjësisht asgjë në Ukrainë. Këto furnizime nuk janë në gjendje të pengojnë arritjen e qëllimeve të operacionit special ushtarak,” tha Peskov.

Moska vazhdimisht i është referuar pushtimit të Ukrainës si një “operacion special ushtarak”.

Gjermania aktualisht nuk ka plane për të dorëzuar tanket kryesore të betejës Leopard 2 në Ukrainë, por po përgatitet të dërgojë deri në 40 tanke luftarake të këmbësorisë Marder, tha të hënën zëdhënësi i ministrisë së saj të mbrojtjes. Javën e kaluar presidenti Biden pohoi se Shtetet e Bashkuara do të furnizonin Ukrainën  me automjete luftarake Bradley,  si pjesë e një pakete të re të ndihmës për sigurinë për vendin, ndërsa i afrohet një-vjetorit të pushtimit rus.

Paketa prej gati 3 miliardë dollarësh është ndër paketat më të mëdha të pajisjeve ushtarake të dërguara nga Pentagoni në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›