1200 të arrestuar për trazirat në Brazil! Lula: Akt terrorist! Ndërkombëtarët: Sulm ndaj demokracisë
Të paktën 1200 protestues dhe mbështetës të ish presidentit Bolsonaros janë arrestuar. Forcat e sigurisë kanë çmontuar edhe kampet dhe tendat që mbështetësit e Bolsonaros ngritën para godinave qeveritare në kryeqytetin Brasilia.
Ndërkohë punonjësit federalë po punojnë për të vlerësuar dëmet e shkaktuara në Kongres, Gjykatën e Lartë dhe Pallatin Presidencial nga turma e mbështetësve të Bolsonaros .
Trazirat në Brazil u cilësuan nga autoritetet braziliane si “akte terroriste”. Në një deklaratë të përbashkët mes Presidencës, Kongresit dhe Gjykatës së Lartë, thuhet se “fuqitë e Republikës hedhin poshtë aktet terroriste të vandalizmit nga kriminelët dhe puçistët që ndodhën pasditen e djeshme në Brasília”.
Në deklaratë theksohet se se Brazili ka nevojë për “normalitet, respekt dhe punë” dhe i bën thirrje shoqërisë të ruajë qetësinë.
Të dielën e 8 janarit mbështetësit e Bolsonaros sulmuan dhe plaçkitën ndërtesën e Kongresit, Gjykatës së Lartë dhe Pallatit Presidencial duke mos pranuan fitoren e presidnetit Lula. Bolsonaro humbi zgjedhjet presidenciale ndaj Lula da Silva në tetor dhe shumë nga mbështetësit e tij refuzuan të pranojnë rezultatin duke shkaktuar trazira dhe sulmuar ndërtesat qeveritare.
Bolsonaro ka mohuar se ka inkurajuar sulmin e së dielës, duke thënë se ajo që ndodhi kishte shkuar përtej protestës demokratike.
Udhëheqësit botërorë, përfshirë presidentin amerikan Joe Biden, i kanë cilësuar trazirat si një sulm ndaj demokracisë.
/rtsh.al/