E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kremtohen Pashkët Ortodokse, mesha e festime në të gjithë vendin

TIRANE - Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin kremtuan mesnatën e së shtunës dhe në orët e para të së dielës, ringjalljen e Krishtit. Mijëra besimtarë kanë marrë pjesë në meshën e Pashkëve, që u drejtua nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos.

Me shprehjen “Merrni dritë nga drita që nuk perëndon kurrë”, Kryepeshkopi Janullatos iu drejtua besimtarëve ortodoksë në mesnatë, në momentin e ringjalljes së Jezusit të Nazaretit, tri ditë pas vdekjes i kryqëzuar, me shpresën se besimtarët do të mund të marrin dritë nga drita e pashueshme e Perëndisë.
Flaka që u ndez në atë moment simbolizon ringjalljen e Krishtit pas sakrifikimit të tij në kryq. Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe kanë uruar njëri-tjetrin për paqe, begati dhe lumturi. 

Fier, qindra besimtarë festojnë ringjalljen e Krishtit
Moti me reshje nuk i ka penguar besimtarët Ortodoks për të kryer ritet fetare të Pashkëve,festës më të rëndësishme shpirtërore të tyre. Në orët e mesnatës, ata i janë drejtuar kishës së Shën-Gjergjit,më e madhja në trevën e Myzeqesë, për të festuar “Ringjalljen e Jezu Krishtit”.
Pas shpalljes Krishti u ngjall, ceremonitë vazhduan me meshën hyjnore.
Sipas besimtarëve ortodokse, kjo festë ka efekte të fuqishme, jo vetëm psiko-emocionale, por edhe morale, pasi pastron shpirtin dhe I bënë njerëzit më human e të moralshëm. Është festa që shënon triumfin e jetës mbi vdekjen .Fillimin e një jete të re pa brenga, pa dhimbje e mëkat.

Gjirokastër, besimtarët festojnë ringjalljen e Krishtit
Besimtarët ortodoksë të qarkut të Gjirokastrës, kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme, duke u gdhirë dita e sotme, Ringjalljen e Jezu Krishtit.Kisha e Kryeëngjëjve në lagjen “Varrosh” ka mbledhur me mijë besimtarë, duke uruar njëri-tjetrin “Krishti u Ngjall”.  Këmbana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit.  Mesha e organizuar nga At Theodhori në ambientet e jashtme të kishës së Kryeëngjëjve, u përcoll nga besimtarët e shumtë, të cilët nxitonin të ndiznin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.

Sarandë, besimtarët ortodoksë festojnë Pashkët
Besimtarët ortodoksë në Sarandë, në jug të vendit, kanë kremtuar në minutat e para pas mesnatës Ringjalljen e Krishtit. Kjo është bërë përmes një ceremonie, të organizuar në Kishën e "Shën Harallambit" në Sarandë, e cila ka mbledhur me mijëra besimtarë, përfshi edhe ata të ardhur enkas nga emigracioni për të festuar Pashkët.  Mesha e organizuar nga At Gjergji u përcoll nga besimtarë të shumtë, të cilët ndezën qirinj, në shenjë besimi për ringjalljen e mbarësisë së bashku me ringjalljen e Jezu Krishtit. Sipas interpretimit biblik, me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga e Premtja e madhe, kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve, kur ai ringjallet. 

Mesnata e Pashkës në Durrës
Qindra besimtarë durrsakë kanë kremtuar mesnatën e kaluar Ringjalljen e Krishtit në ceremoninë e përvitshme të Pashkëve. Megjithë motin e keq në katedralen ortodokse të Shën Pavlit dhe Shën Astit besimtarët u mblodhën në meshën e Shërbesës së mesnatës në vigjilje të të së Dielës së Shenjtë të Pashkës. Në mesnatë me fjalët “Krishti u ngjall” ata kanë përshëndetur dhe përqafuar njeri tjetrin, e më pas kanë thyer vezët e Pashkës të ngjyera me të kuqe në përkujtim të sakrificës së Kishtit.

(er.nu/BalkanWeb) Lidhje te tjera Pashket, urimi i plote i Kryepeshkopit Anastas Pashkët, Presidenti Topi uron: Fat e begati popullit shqiptar Festimet e Pashkëve, fluks emigrantësh në kufi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›