Topi uron nga Korça: Politika të ndjekë filozofinë e shpreses që përcjellin Pashkët
Korçë- Kreu i shtetit Bamir Topi, zgjodhi Korcën për të uruar besimtarët ortodoks në ditën e Ringjalljes së Krishtit. Ai zhvilloi një vizitë në Selinë e Mitropolisë së Shenjtë me rastin e Festës së Pashkëve, ku u prit nga Mitropoliti i Korçës, dhe njëkohësisht një nga krerët e Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Imzot Joan Pelushi dhe nga përfaqësues të tjerë të bashkësisë ortodokse.
Kryetari i Shtetit shprehu urimet për të gjithë besimtarët shqiptarë në ditën e festimit të Pashkëve ortodokse, duke theksuar se nëpërmjet festimit të Pashkës, ngjarjes më solemne dhe më të nderuar të Kishës, jepen mesazhe të rëndësishme të vlerave të patjetërsueshme të jetës njerëzore, jo vetëm për më shumë shpresë dhe tolerancë me njëri-tjetrin, por dhe për më shumë besim tek realizimi i aspiratës integruese evropiane të shqiptarëve.
Përshumëvjet dhe gëzuar këtë ditë të shenjtë! Unë dëshiroj që këtu nga Korça të uroj besimtarët ortodoksë, jo vetëm ata të Korçës, por të gjithë Shqipërisë: gëzuar këtë ditë të madhe që është një ditë shumë e veçantë në botën e krishterë! Besoj që është dita e ringjalljes, dhe mbi të gjitha mbi këtë term kaq të gjerë, ringjallje, unë do të uroja që të ringjallim kudo shpresën për një ditë më të mirë! Tek çdo njeri, tek çdo shoqëri ka nevojë që të ketë më shumë optimizëm për ditën që vjen. Dhe besoj që ky mesazh që vjen nga kjo filozofi e krishterë është shumë domethënës, sidomos për ata që kanë fatet e tjerëve në dorë, për ata që merren me politikën, me institucionet dhe kjo ditë është për të reflektuar së pari për njerëzit që janë më në hall, më në nevojë. Dhe ky apel është për institucionet, për politikën, por është edhe për njerëzit që janë në gjendje të mirë që ta kthejnë vështrimin tek ata që janë më dobët ka theksuar Topi.
Gjithashtu Topi ka vlerësuar edhe harmoninë fetare që mbizotëron në qytetin e Korçës duke shtuar se ky është një mesazh që duhet të shpërndahet kudo.