E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenar Ahmeti, një rast i vështirë

Diku dy muaj më parë, një Benz, prodhim i viteve të fundit me targa të huaja me tabelën “shitet” dhe me celular të anonçuar, merr një telefonatë në udhëtim nga një blerës dhe pasi shkëmbejnë të dhënat për mjetin dhe çmimin, telefonuesi blerës i kërkon të hapë krahun, sepse është pas tij. Dogana e papaguar, - thotë shitësi - por rregullohemi me çmimin. Sapo ka hapur krahun pronari i makinës luks, është befasuar kur pas tij ka parkuar shefi i komisariatit të qarkullimit rrugor, telefonuesi blerës, që i ka kërkuar dokumentet, ka njoftuar karrotrecin dhe ka sekuestruar makinën deri në plotësimin e dokumentacionit të plotë, sipas ligjit. Pronari i Benzit është befasuar mjaft, por është bindur, duke qeshur, nga halli sigurisht.

Nuk është aspak barcaletë ajo që tregova më lart, për të përcjellë një ngjarje me humor, por një rast i vërtetë. Ndonëse pak e pazakontë deri më tash, por e mirë për t’u rrëfyer si histori, është misteri që ka përfshirë seancën gjyqësore të shumëzgjatur në afër pesë orë ndaj shefit të komisariatit rrugor të Tiranës, Krenar Ahmetaj, që përfundoi me vendimin e pezullimit nga detyra të tij. Një tjetër drejtor, pas Arben Sefgjinit të tatimeve, nga më të përfolurit si i pabindur ndaj ndereve dhe hatëreve, më vjen çudi që e ka shtyrë kaq gjatë pa një proces gjyqësor, qoftë dhe formal, për ta bërë konfliktual me detyrën. Unë e njoh drejtuesin e këtij komisariati, një rast i vështirë për t’u mundur në profesion, dhe s’kam pasur mundësinë të përfitoj ndonjë nder qarkullimi, për të shmangur ndëshkimin nga kundravajtjet, ndonëse kam tentuar herë-herë të ndihmoj ndonjë mik apo veten. Dhe prapë më ka ardhur mirë që Krenari më ka shpërfillur në këtë situatë privilegji të munguar, por ka ndjekur procedurën dhe ligjin, ashtu si është e përcaktuar. Mund të kaloj pranë komisariatit të qarkullimit rrugor disa herë në ditë, që është pranë punës sime dhe shoh se rritet ndjeshëm numri i makinave të sekuestruara. Madje miq dhe shokë në polici, dhe pse jo në Ministrinë e Brendshme, kur u kërkon ndonjë favor të ndërhyjnë te Ahmeti për një patentë, gjobë apo lirim mjeti, të thonë menjëherë pa e menduar: “Pash zotin vetëm për atë mos më thuaj. Ai nuk mbush” (Të më falë zoti Ahmeti për këtë thënie popullore që përsëritet kur ai nuk është i pranishëm, vetëm për arsye pune). Duke i rënë gjatë disi shpjegimit, vijmë te seanca gjyqësore në ngarkim të tij ditën e djeshme në Gjykatën e Tiranës. Pas debatit, sherrit, zënkës me një prokurore të Krimeve të Rënda, e më pas të një qytetari, shefi i qarkullimit të Tiranës, përfundon në gjykatë, ku në adresë të tij kërkohet pezullim nga detyra nga prokuroria. Dua të them se vjelja e detyrimeve, gjobave, kundravjatjeve, parave të pambledhura, ka sjellë miliona në arkën e shtetit. “I pasjellshëm” me pushtetarë, funksionarë, politikanë, kryepolici i qarkullimit pa dashjen tonë të plotë, ka vendosur një standard. Nëse ke shkelur rregullat e qarkullimit, atëherë do të ndëshkohesh, ashtu si e përcakton ligji dhe rregullorja. Asgjë më tepër nuk kërkon zotëria i denoncuar çuditshëm, përveç se të bëjë detyrën, ashtu si pak kush mendon se duhet bërë. Por metodologjia më e re e sofistikuar disi, është bërë drejtësia, për më tepër prokuroria dhe gjykata, ku rastet e vështira, si Sefgjini më parë, dhe Ahmeti tani, dërgohen atje për t’u ndërruar pak destinacion imazhit të ndërtuar prej tyre. Nëse një gazetar merr udhën dhe fotografon ose filmon me kamera oborrin e komisariatit të qarkullimit rrugor, i duhen pak minuta gjithkujt për t’u bindur se ky drejtor i këtij komisariati e ka shkelur, mbase dhe “tepruar” disi dhe bindet lehtë se ka shumë arsye në atë oborr që e çojnë drejtuesin e këtij komisariati në gjykatë, për ta pezulluar nga detyra. Ai ka ndaluar dhe deputetë e ministra dhe nuk është se ka hapur rrugë, por diçka nuk po shkon. Tashmë është kërkesa më e re e drejtësisë që nuk është krejt befasuese: Pezullim nga detyra, mos shko në punë, ik nga të duash, vetëm në punë jo, se aty na e prish rehatinë... Sepse aty ka makina, mjete, me targa të huaja, realisht pa dokumentacion të rregullt, që presin të lirohen, por që kushtojnë mbi 50 mijë euro, një pjesë dhe dyfish. Dhe gjithnjë ata që harxhojnë kaq para kanë dhe pak pushtet, që nuk e lënë pa përdorur.

A kemi këtu një përplasje institucionale mes prokurorisë dhe policisë, pasi palët në konfliktin e perceptuar në gjykatë vijnë nga këto burime? Vështirë të thuhet, por dhe zor të mos pranohet. Në Tiranë, sido që të vejë filli i shqyrtimit gjyqësor për Krenar Ahmetin, mbahet mend fakti që ai theu tabu, mërziti jo pak njerëz dhe vuri në udhë jo pak të mbarë qarkullimin, pa harruar investimin në këtë institucion të ekspertit Shkëlzen Aliaj. Gjithë drejtuesit e mjeteve vënë rripin e sigurimit, ndezin dritat, paguajnë taksa dhe vështirë të dalin me mjetin pa dokumente. Ndërsa drejtuesi i këtij operacioni të hershëm ka raste që shërben dhe personalisht, duke ndjekur një keqbërës, një të dehur, një aksidentues, ku dhe është plagosur, paçka se ne s’kemi pasur kohë t’i kushtojmë shumë vëmendje në këtë drejtim. Në gjykatë padia e ndërsjellë e shefit të qarkullimit dhe prokurores janë për shkelje; njëra palë për rregullat e qarkullimit, tjetra për shkak të detyrës. Mbështetjen më të madhe menaxheri i qarkullimit e ka nga puna e bërë, kundërshtinë nga jo që nuk ka bërë (nuk ka bërë shumë ndere ose ka bërë shumë pak). Në muajt e fundit janë zbuluar dhe sekuestruar shumë makina të shtrenjta dhe kjo kosto nervoze e qarkullimit diku shpërthen. Prokuroria e Krimeve të Rënda profesionalisht është e bindur që Krenari mund të mos meritojë pezullim, meqë ka bërë kërkesë maksimale pezullimin, por këtu duhet pritur të marrim vesh çfarë mendon gjykata. Ndaj rithem, se Krenar Ahmeti është një rast vërtet i vështirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›