E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vonesat e kushtueshme



Sikur gjërat të kishin shkuar siç duhet, institucionet dhe ekonomia e Kosovës mund të bëhej shembull për shtetet e rajonit, por fatkeqësisht nuk pati njerëz që do ta bënin këtë gjë, kështu që mori shembull institucionet dhe ekonominë e rajonit: me korrupsion e keqpërdorime, me krim të organizuar, me ekonomi gri etj.

1. Pasi ikën një lukuni zyrtarësh ndërkombëtarë, organet e ndjekjes shpallën se ata kanë keqpërdorur mjete të konsiderueshme parash. Me fjalë të tjera, kur ata më nuk ishin në Pejë dhe në Kosovë, dikujt iu kujtua të komunikojë se disa prej tyre kanë vjedhur para. Por, para se të ikin, duket se dikush tjetër ua ka bërë me dije se nëse nuk ua mbathin një orë e më parë, mund të kenë probleme serioze, ose të paktën do t’i nxjerrin probleme të tjera UNMIK-ut, sepse UNMIK-u nuk e arreston asnjë zyrtar të vetin edhe sikur ta vjedhë godinën ku e ka administratën përfaqësia e OKB-së! Prandaj hajdutët ikën edhe këtë herë, ashtu sikurse shkuan edhe me parë pa therë në këmbë, vodhën sa iu dha mundësia, i keqmenaxhuan mjetet e tjera për faqe të zezë. UNMIK-u as nuk i arreston të vetët, por as nuk i arreston të tjerët, nëse vjedhin, nëse vrasin dhe nëse bëjnë maskarallëqe të tjera. Madje, nuk jemi të sigurt se ka dosje fare për hajdutët dhe vrasësit, ose të dyshuarit për vrasje. Deri tash gazetat ishin përplot skandale për keqpërdorimet nga më të ndryshmet, sidomos për zyrtarët ndërkombëtarë, mirëpo asnjëri syresh nuk u hetua, nuk u thirr në biseda dhe, ajo që është më e rëndësishme nuk u arrestua. Deri tash Kosova për pjesën më të madhe të ndërkombëtarëve ishte El Dorado, “Tokë e Premtuar”, “Viçi i Artë”, ku mund t’i realizosh të gjitha ëndrrat, ku mund të bësh çka të duash, ku mund të sillesh si të duash dhe ku mund të bëhesh sulltan, car e despot tjetër i Lindjes a i Perëndimit dhe askush të të mos ngacmojë. Dhe sikur nuk mjaftoi kjo keqqeverisje, zyrtarët e këtillë jo vetëm se e toleruan keqpërdorimin në radhët e veta, e toleruan keqmenaxhimin e llojit të vet, por ajo që është e habitshme e lejuan krimin e organizuar edhe të llojit tjetër: pra krimet dhe të gjitha veprat kriminale të vendësve, megjithëse ishin të ngarkuar e paguheshin që të mos lejonin gjëra të këtilla. Madje-madje, po të mos ishin ushtarët e KFOR-it e përfaqësuesit e shteteve më të fuqishme të botës, që treguan dashamirësi ndaj nesh, UNMIK-asit ia bënë me sy edhe kaosit. Dhe kështu, në Kosovën e pasluftës u ngjiz krimi i organizuar, u ngjiz, reketi të cilin nuk e kishim ose e kishim fare të paktë, u toleruan vrasjet politike dhe vrasjet e tjera që e skandalizuan opinionin, që e habitën edhe qytetarin e zakonshëm se si është e mundur të mos kapen ata që i bënë këto vepra etj.

2. Qeveria që do ta ketë gatishmërinë e guximin të arrestojë së paku dy-tre ish-ministra për keqpërdorime dhe për keqmenaxhim të parave të taksapaguesve, s’ka dyshim se do të mbetet në historinë më të re të politikës, qeveria më e guximshme dhe me kombëtare. Qeveria e cila do t’u shpallë luftë hajdutëve në institucione, të rinjve dhe të vjetërve, është fare e sigurt se do të ketë simpatinë e përgjithshme, dhe po ashtu jam i sigurt se do të fitojë edhe një herë në zgjedhje. Qeveria e cila do të fillojë një fushatë për pastrimin e administratës shtetërore nga armata e nëpunësve të paaftë, të korruptuar, që nuk bëjnë asgjë tjetër, pos që marrin rrogë, bëjnë shpenzime të shumta dhe keqpërdorime me mjete edhe më shumë, pa u ndëshkuar dhe pa u skuqur. Dhe një qeveri e tillë, do të duhej të printe edhe për shumë gjëra të tjera. Sepse në administratën shtetërore të pasluftës kanë hyrë njerëzit e hurit e të litarit, janë infiltruar njerëzit pa biografi, ose me biografi të dyshimtë, të interesuar për të zënë rrënjë aty, jo për rrogën e vogël e të mjerë që nuk u del as për kafetë e mëngjesit së bashku me mëngjesin, por që të jenë pranë tenderëve, pranë buxhetit për financimin e projekteve, pranë zyrave ku ka allishverishe nga më të ndryshmet.

Sikur gjërat të kishin shkuar si duhet, institucionet dhe ekonomia e Kosovës mund të bëhej shembull për shtetet e rajonit, por fatkeqësisht nuk pati njerëz që do ta bënin këtë gjë, kështu që mori shembull institucionet dhe ekonominë e rajonit: me korrupsion e keqpërdorime, me krim të organizuar, me ekonomi gri etj. Por institucionet fatkeqësisht nuk i ndërtuam vetë, strukturat institucionale i bënë të tjerët, madje edhe pjesën më të madhe të nëpunësve i futën ndërkombëtarët, duke u përpjekur të jenë sa më të përdorshëm për rolin e servilit. Çuditërisht kur erdhën zyrtarët e institucioneve tona, nuk ua prishën shumë çerdhen kësaj lukunie të nëpunësve, megjithëse tashmë kutërbonin me keqpërdorime dhe më fatura e projekte që nuk mund t’i arsyetonin, ndërsa paratë i kishin shpenzuar. Ministritë dhe ministrat i afruan një pjesë të këtyre nëpunësve që tashmë u kishte dalë zëri për hajdutëritë. Partitë tona politike dhe qeveritarët në jo pak raste ndihmuan këtë strukturë bukur të çoroditur.

3. Nëse qeveria e tashme apo ajo e mëvonshmja nuk do ta kenë guximin të fillojnë një nismë të këtillë të shkëlqyeshme të luftimit rrënjësor të krimit të organizuar, hajdutërisë institucionale, herrjes së administratës etj., atëherë këtë rol duhet ta marrë dikush. Me fjalë të tjera këtë punë duhet ta bëjë dikush, sepse ndryshe po na han dreqi çdo ditë e nga pak, ndërsa një ditë kur të këndellemi, ose kur të marrim guximin që të ballafaqohemi me problemet dhe me fenomenet e shëmtuara e kriminale në institucione, në ekonomi, në drejtësi, gjyqësi, prokurori etj., atëherë jo vetëm se do të jetë vonë, por atëherë fare lehtë krimi, mafia dhe kriminelët do të jenë më të fortë se institucionet dhe se qeveria, ose do ta gllabërojë të parën dhe të dytën. Dhe atëherë ose duhet të bëhet një aksion i rrënimit të kësaj ngrehine, të ndërtuar mbrapshtë, ose dikujt do t’i bjerë ndërmend se kjo gjë bëhet vetëm me diktaturë dhe do të shpallë sundimin absolut, në emër të vënies së rregullit e të qetësisë, në emër të luftimit të korrupsionit, kurse në fakt do të shkelë me të dyja këmbët të drejtat elementare të qytetarëve. Dhe atëherë nuk do të na shpëtojnë as Këshillat Kombëtare, as organizmat ndërkombëtare, as EULEX-i, megjithatë duhet të shpalojë së pari dosjet e ish-zyrtarëve, të merret me luftimin e krimit të organizuar dhe të hulumtojë edhe zyrtarët e tashëm. Deri tash asnjë qeveri nuk e kaloi ylberin, madje as nuk bëri përpjekje t’i afrohet ylberit!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›