E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas çorbës së prishur

Duket se temat me histori e ngjarje spiunësh do vazhdojnë ta mbajnë mbërthyer edhe për ca kohë shoqërinë shqiptare. Të përsëritura me dhjetëra herë në këto vite post-diktaturë, herë nga halli dhe herë nga malli, historitë e spiunllëkut kanë mbushur faqe gazetash apo ekrane televizionesh, duke na lënë gojë e sy hapur nga çuditë apo duke na gajasur me marrëzitë. Pandehmat e shumta; ka spiunë - s’ka spiunë, ka dosje - s’ka dosje, që janë hedhur për diskutim dhe debat nga opinionistë, njohës dhe ekspertë të këtij zanati kanë bërë që spiunllëku të vazhdojë të qorrollepset kudo rreth nesh, si personazh i një tragjedie të lashtë greke, as i gjallë, as i varrosur. Në bashkëjetesë harmonike me viktimat e tyre, ata janë kudo dhe askund. Shfaqen dhe zhduken me maskë në fytyrë, për t’u shfaqur përsëri kur i zë malli. Ata janë të urtë, të bindur dhe të gatshëm për të zbatuar me kokën ulur çdo punë dhe detyrë. Ata nuk kundërshtojnë asnjëherë. Ata vetëm binden. E ku ka si spiunët! Ka lezet të punosh me spiunët!

Kohëve të fundit, duket se po shtohen shenjat të cilat tregojnë se nga magazinat e fabrikës politike po përgatitet për t’u hedhur përsëri në treg tema e spiunëve dhe e dosjeve të tyre. Për aq kohë sa nuk ka një marrëveshje të politikës dhe gjithë shoqërisë shqiptare për moshapjen e tyre deri në një periudhë të caktuar, është normale që segmente të caktuara të politikës dhe shoqërisë të jenë të interesuara ta risjellin herë pas here këtë temë në vëmendjen e opinionit publik. Interesat nga ku buron kjo kërkesë nuk janë të njëjta. Po ashtu, edhe serioziteti dhe sinqeriteti me të cilin shtrohet kjo kërkesë nuk është i njëjtë. I njëjtë është vetëm objektivi: spiunët dhe dosjet e tyre. Interesat nuk janë të njëjta, pasi një pjesë e shoqërisë, e viktimizuar nga aktiviteti spiunues, edhe pse e ka dhënë faljen publike, nuk ka marrë ndjesë publike. Hapja e dosjeve do t’i bënte ata spiunë të cilët sot mund të jenë njerëz publikë, të kërkonin falje publike, të çliroheshin nga tortura e pafund e brerjes së ndërgjegjes dhe të paqësonin shpirtrat. Një pjesë tjetër, jo e vogël e shoqërisë, kërkon të hapen këto dosje, pasi një faj i lënë pa autor na bën të gjithë fajtor. Që ky faj të mos mbesë një faj kolektiv dhe të mos kërkojmë prapa syve të njëri-tjetrit për të gjetur mëkatarin, këto dosje duhet të hapen. Krejt i ndryshëm është interesi që ka politika kur diskuton dhe debaton për hapjen e dosjeve. Kur flitet për klasën politike, ndodh që ky interes, serioziteti apo sinqeriteti lidhur me këtë temë, të jetë krejtësisht i kundërt. Ka ndodh që, herë pas here, eksponentë të ndryshëm në politikë të denoncojnë praninë e politikanëve me dosje të tilla. Momente dhe fakte të tilla nuk mund të kalojnë kurrsesi në heshtje. Ajo pjesë e politikës e cila mund të jetë e interesuar seriozisht për pastrimin e saj prej njerëzve me dosje ose është në minorancë dhe e pafuqishme për ta çuar përpara këtë proces, ose nuk e kupton dëmin që vjen prej një politike të varur. Edhe pse pasojat negative që mund të rrjedhin nga prania dhe aktiviteti i një personi publik me dosje janë të përmasave dhe me ndikim të gjerë në fatet publike, prej kaq kohësh heshtet dhe mbahet qëndrim indiferent ndaj këtij realiteti. Një ligjvënës apo vendimmarrës i varur nga një e shkuar e tillë nuk jep asnjë garanci dhe siguri në mbrojtje të interesave publike. Në një moment të caktuat ai mund të vendosë kundër këtyre interesave apo edhe kundër interesave kombëtare. Kjo është një arsye e mjaftueshme që e gjithë klasa politike të kërkojë seriozisht pastrimin e saj. Megjithatë, prej kaq kohësh kjo nuk ka ndodhur dhe duket se nuk ka gjasa që të ndodhë edhe kësaj here. Arsyeja është e thjeshtë. Ata janë të urtë, të bindur dhe të gatshëm për të zbatuar me kokën ulur çdo punë dhe detyrë. Edhe kur revoltohen, ata revoltohen me urdhër. Edhe zemërimi i tyre patriotik ndizet vetëm me urdhër. Edhe pse nuk bëjnë shumë punë, e rëndësishme është se nuk hapin punë.

Kanë frikë nga dosja.

Natyrshëm që pas kaq vitesh pluhurosjeje dhe çpluhurosjeje, kalimi dorë më dorë, sirtar më sirtar e zyrë më zyrë, dosjet e spiunllëkut nuk e kanë më atë shkëlqimin vezullues që kanë dosjet e korrupsionit. Ndërsa vlerën vazhdojnë ta ruajnë po të njëjtë. Të jesh me dosje është një garanci për punëdhënësin tënd politik. Është një pasuri e madhe të kesh të shkruar diku mes fletëve të zverdhura nga koha, një emër të dytë, a dy tri radhë të shkruara denoncimi për kolegun, shokun, dajën, kushëririn a për dikë që nuk e ke njohur fare. Kaq të çmueshme janë këto dosje sa nuk e gjen më një të tillë. Kërko, lodhu sa të duash, nuk do ta japë askush dosjen e tij. Nuk të lenë as emrat t’ua përdorësh. Kanë mbaruar të gjithë emrat për spiunët. Nuk ka më. Edhe kur vdesin, i marrin me vete për në botën tjetër si licencën e një profesioni të përjetshëm. E vetmja zgjidhje që mbetet është çorba. Nëse do të falësh gjumë dhe qetësi për shefat e tu, kapërdi një lugë çorbë nga çorba e korrupsionit dhe do gëzoni për tërë jetën, ti dhe ata.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›