E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krenohen me Rugoven

Pesë vjet pas vdekjes, për Ibrahim Rugovën flasin mirë të gjithë, madje edhe kundërshtarët e dikurshëm. Hashim Thaçi organizoi Akademi përkujtimore për të, ndërsa Isa Mustafa nuk hezitoi të shkojë aty. Familja Rugova ishte e pranishme edhe në Akademinë e Kryeministrit, edhe në atë të LDK’së. Uka çoi mesazhe unifikimi për faktorin politik, derisa foli për babain e tij. Nga Shpend Limoni më 22 janar 2011 në ora 08:46

Të gjithë e duan Ibrahim Rugovën. Ose, së paku bëhen se e duan. Në përvjetorin e pestë të vdekjes, për njeriun që shumëkush e konsideron lider historik, nuk kursehen fjalët më të zgjedhura.

Madje as nga kundërshtarët e dikurshëm të tij, si Hashim Thaçi.

Rugova, nëse i dëgjojmë deklaratat, tani është i të gjithëve, edhe i krahut të luftës edhe i krahut paqësor.

Të dyja palët e çmojnë edhe si studiues edhe si politikan. Nuk harrohet pa u përmendur në kontekst pozitiv edhe dhurimi i gurëve, veti kjo e Rugovës që shpeshherë është përqeshur.

Për ta nderuar këtë figurë të historisë më të re të Kosovës, bëhen edhe ngapak gara.
Homazhet te varri i tij, akademitë përkujtimore, janë gjithnjë e më të numërta. Në to nuk mungojnë as diplomatët që shërbejnë në Kosovë.

Ajo çka tërheq vëmendjen më së shumti, kur është fjala për Rugovën në ditët e sotme, është Hashim Thaçi i cili duket se ka shlyer nga kujtesa hasmëritë e dikurshme.
Thaçi është kujdesur që kujtimin për Rugovën ta shënojë me një akademi të organizuar nën patronazhin e tij.

E për profilin që ia ka bërë Rugovës atij, mund t’ia kenë zili edhe zyrtarët e LDK’së.
Por, në thelb dallimet mbesin. Për Thaçin, Rugova është një nga figurat më të rëndësishme të shqiptarëve në shekullin 20’të, ndërsa për Lidhjen Demokratike të Kosovës ai është themeluesi i shtetit të Kosovës.

Në pesëvjetorin e vdekjes, Thaçi ka lartësuar figurën e kundërshtarit të dikurshëm, duke e duke shprehur kënaqësinë që ka pasur rastin të punojë me të.

Për mosmarrëveshjet që ka pasur me Rugovën, ai foli vetëm kalimthi.

“Në kthesa të mëdha historike dhe në zhvillime epokale ka gjithmonë diversitet mendimesh dhe veprimesh, që si pikësynim kanë të njëjtin qëllim, por me mjete dhe rrugë të ndryshme”, tha ai.

Lideri i PDK’së dhe Kryeministri në dorëheqje mund të jetë ndarë i kënaqur me praninë e njerëzve në akademinë e tij për Rugovën.

Familja Rugova ishte e pranishme në të bashkë me Ukë Rugovën, i cili me “Listën Ibrahim Rugova” në zgjedhjet e 12 dhjetorit garoi në listën e AAK’së.

Kohëve të fundit është folur shumë për mundësinë që Lista... të jetë pjesë e Qeverisë Thaçi.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, po ashtu mori pjesë në këtë akademi. Thaçi nuk e përmendi atë kur i përshëndeti të pranishmit, ndërsa u kujdes që të evitojë edhe emrin e LDK’së gjatë fjalimit. Por nuk hezitoi të shtrëngojë duart me Mustafën, kur hyri në sallën e Teatrit Kombëtar.

Për të nderuar Rugovën në këtë akademi kishte dalë edhe Nexhat Daci, i cili u pa ulur afër Isa Mustafës.

Të pranishmit dëgjuan edhe fjalimin e shkurtër të Ukë Rugovës, i cili duke kujtuar babanë e tij dha mesazhe uniteti për faktorin politik.

Hashim Thaçi, teksa përshëndeti të pranishmit, foli si Rugova dikur.

“Lavdi emrit dhe veprës së dr. Ibrahim Rugovës. Zoti e bekoftë Kosovën. Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës”, tha Thaçi.

Nderime për Rugovën në këtë përvjetor bëri edhe AAK’ja. Por drejtuesit e saj nuk u panë në akademinë që organizoi Thaçi.

Zyrtarë të kësaj partie kanë bërë homazhe te varri i Rugovës, si dhe kanë vizituar familjen Rugova në Velani.

Një akademi tjetër për Ibrahim Rugovën u organizua edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kreu i LDK’së, Isa Mustafa, po ashtu foli fjalë të mëdha për personalitetin e Rugovës. Derisa edhe rikujtoi se çfarë kanë thënë për të edhe figura botërore si ish-presidentët Bush dhe Clinton për Rugovën.

Familja Rugova ka marrë, po ashtu, pjesë në këtë ceremoni, përkundër mospajtimeve që Uka Rugova ka shfaqur edhe publikisht me Isa Mustafën. Po ashtu, edhe zyrtarë të lartë të LDD’së nuk u hamendën rreth pranisë së tyre në Sallën e Kuqe.

Por, aty munguan zyrtarë të PDK’së dhe AAK’së. Në akademinë e LDK’së është shfaqur edhe ish kryetari i LDK’së, Fatmir Sejdiu.

Për Ibrahim Rugovën, në këtë përvjetor u kujtuan edhe ndërkombëtarët që punojnë në Kosovë. Në akademinë përkujtimore të organizuar nga Thaçi ishte i pranishëm ambasadori amerikan Christopher Dell dhe disa ambasadorë tjerë të shteteve europiane.
Dy të tjerë, shefi i UNMIK’ut Lamberto Zannier dhe ai i OSBE’së, Werner Almhofer, kanë vënë kurora me lule te varri i Rugovës.

Këta dy ndërkombëtarë nderimin e tyre e kanë shprehur duke theksuar një element tjetër me të cilin identifikohet Rugova.

“Presidentin Rugova e kujtoj si një njeri që tërë jetën dhe veprimtarinë e tij politike ia ka kushtuar paqes”, ka thënë Ambasadori Almhofer.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›