E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi i Sulimanit

Benjamin Sulemani ka befasuar të gjithë me paraqitjet e tij te skuadra austriake FC Trenkwalder Admira. Ai në 21 ndeshje ka realizuar 16 gola dhe ka asistuar nëntë herë. Sulmuesi shqiptar thotë se këtë as që e kishte menduar. 21 vjeçari synon elitën e futbollit austriak, derisa dëshiron të luajë përkrah vëllait të tij, Eminit. Nga Express më 22 janar 2011 në ora 11:33

Benjamin Sulimani është befasia më e madhe në Ersten Liga (liga e dytë austriake). Ai në pjesën e parë të kampionatit në këtë ligë shpërthe me klubin FC Trenkwalder Admira, ku ishte transferuar gjatë verës së vitit të kaluar nga Austria Vjena.

Pas 21 ndeshjeve të zhvilluara në Ersten Liga, sulmuesi shqiptar që luan edhe në rolin e mesfushorit ofanziv ka arritur t’i shënojë 16 gola, derisa ka asistuar 9 herë. 22 vjeçarit nuk e kishte pritur një start të tillë.

“Nuk e kam pritur këtë. Kam kaluar në Trenkwalder Admira dhe kam menduar se do jem sulmuesi i tret ose i katërt , por trajneri Dietmar Kuhbauer më ka dhënë rastin dhe në ndeshjen e pare shënova dhe pas kësaj gjerat shkuan mirë”, ka thënë Sulimani për ueb faqen sport10.at.

“Në fillim kam thënë se do të bëj dhjete gola. Por, tani në llogarinë time kamë 16 gola dhe dëshiroj t’i realizoj 20 gjatë këtij sezonin", ka vazhduar ish reprezentuesi i përfaqësueses U21 të Austrisë.

Pas 21 ndeshjeve të zhvilluara në ligën e dytë austriake, Trenkwalder Admira zë vendin e parë në tabelë me 48 pikë të tubuara, tri më shumë sesa Altach që zë vendin e dytë. Për këtë sukses, Sulimani thotë se meritat i ka trajneri i ekipit Dietmar Kuhbauer.

“Ai është i afërt me lojtarët dhe jep 150 për qind në stërvitje. Kuhbauer ka krijuar harmoni në ekip tonë dhe të gjithë ndihemi mirë”, ka theksuar sulmuesi me prejardhje nga Maqedonia.

Sulimani synon që në të ardhmen e afërt të luajë në elitën e futbollit austriak, të cilën mundësi nuk e ka pasur deri më tani, pasi sa ishte te Austria Vjena nuk iu dha rasti të luante në ekipin e parë, por vetëm në të dytin.

Ish sulmuesi i Kapfenberger SV me klubin Trenkwalder Admira ka kontratë deri në verë të vitit 2011. Por, ai nuk përjashton mundësinë që ta vazhdojë kontratën me këtë ekip.

“Klubi i parë që do të bisedoj për kontratë do të jetë Admira. Mund ta imagjinoj vetën këtu edhe nëse skuadra nuk ngjitet në Bundesliga”, u shpreh ai.

Benjamini është vëllai i vogël i Emin Sulimanit, i cili aktivizohet me skuadrën nga elita e futbollit austriak LASK Linz. “Vëllai im së shpejti do t’i kthehet fushës pas lëndimit dhe do t’i ndihmojë skuadrës që të mbetet në ligë”, thotë Benjamini.

Të dy vëllezërit kishin luajtur së bashku te Austria Vjena, derisa Benjamini dëshiron që një ditë sërish të luajë përkrah Eminit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›