E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e Kosovës nisen në fundjavë në New York

Krerët më të lartë shtetërorë të Kosovës si presidenti Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi, dhe ministri i Jashtëm Skender Hyseni, nga e diela do të jenë në New York.

Në kryeqytetin e botës ata shkojnë për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe kundër projektrezolutës serbe. Në Presidencë dhe në Qeveri kanë bërë të ditur se lidershipi kosovar do të niset të shtunën, për të qëndruar më parë në Vjenë, e pastaj për të mbërritur një ditë më vonë në New York. Kryeministri Hashim Thaçi ka shprehur besimin të mërkurën se ky aktivitet do të jetë i suksesshëm.

Në javën e dytë të shtatorit, në New York, do të zhvillojë punimet sesioni i 64-t i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Serbia ka depozituar në Asamble një projektrezolutë që bën thirrje për nisje të negociatave për statusin, midis autoriteteve të Prishtinës e të Beogradit.

Kjo është në vazhdën e përpjekjeve për të ndryshuar mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas së cilës shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Autoritetet kosovare do ta përdorin mendimin këshillëdhënës të kësaj Gjykate, për të bindur sa më shumë vende ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›