E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e doganës, në burg nga tregtari

• Shtohen ankesat ndaj dy drejtuesve të doganës së Beratit, të arrestuar tre ditë më parë me akuzën e korrupsionit.BERAT/ DILAVER XHELILI Sipas burimeve të policisë së qytetit, tregtarë të ndryshëm të Beratit kanë bërë denoncime për dy doganierët, duke deklaruar se ata u kërkonin ryshfete, për të mos respektuar detyrimet. Pas arrestimit në flagrancë të Hodo Hasanit, drejtor i doganës dhe zëvendësit të tij, Shaban Danushi, grupi i hetimit konfirmon se në mënyrë sistematike ata kanë përfituar nga subjektet që zhvillojnë veprimtari tregtare në qytet. Të njëjtat burime pohojnë se, tregtarë të qarkut të Beratit disa herë kishin bërë denoncime në organet e drejtësisë për këta dy persona, të cilët duke shfrytëzuar detyrën u kërkonin lekë në shkëmbim të mallrave, dhe pse veprimet e tregtarëve ishin të ligjshme. I fundit reagim, i cili u ka kushtuar dhe prangat dy drejtuesve të doganës ka qenë një prej tregtarëve të shumicës, emri i të cilit nuk bëhet i njohur. Ai ka kërkuar ndihmë nga organet e drejtësisë, nga ku i është kërkuar regjistrimi i serisë së parave që do të jepte në momentin e zhdoganimit të mallit në doganën e Beratit. Burime jo zyrtare bëjnë të ditur se, dy orë më parë se këta dy persona të arrestoheshin u është dhënë një sasi lekësh dhe eurosh, të cilat iu bllokuan nga forcat në aksionin e koduar "Fason". Burime të policisë pohojnë se, këta dy persona ishin në mbikëqyrjen e organeve të drejtësisë për abuzimet që ata kryenin duke shfrytëzuar detyrën si drejtues dogane. Policia e Beratit,  ka qenë tepër e ngurtë në dhënien e informacionit zyrtar për efekt hetimesh, që po vazhdojnë në mënyrë tepër të shpejtë për të bërë të mundur dhe ndalimin e disa persona të tjerë, që janë implikuar në këtë ngjarje korruptive. Dy të ndaluarit kanë kapur avokatët e tyre për t'u mbrojtur përballë këtyre akuzave të ngritur nga organi i drejtësisë, ku akuzohen për shfrytëzim detyre, mitmarje dhe lehtësirave joligjore doganore në shkëmbim të përfitimeve të mëdha. Sot pritet vlerësimi i masës së sigurisë për dy drejtuesit e prangosur me akuzën e korrupsionit, duke shfrytëzuar detyrën shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›