E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga tallonat populiste, tek një bujqësi klienteliste

• Edmond PanaritiTë habit fakti se sa herë që flitet për financim të bujqësisë shifrat jepen në dollarë dhe jo në lekë apo në euro. Në këtë rast, treguesit financiarë duhet të ishin në lekë ose euro, ngaqë edhe për më shumë se një dekadë, leku do të vazhdojë ende të qarkullojë në duart tona, për t’ia lënë më pas vendin euros, pasi të përfshihemi në sistemin e përbashkët monetar evropian. Prandaj të shprehësh sasinë e parave të buxhetit të shtetit në dollarë, në pamje të parë duket pakuptim. Por për politikën e “hipnozës” dhe të “shkopit magjik”, të shprehurit në dollarë në fakt e ka ... një kuptim, sepse po të shpallësh se do ta mbështetësh bujqësinë me 10 milionë dollarë,  je më sugjestionues për tregun publik, atë mediatik dhe politik se sa po të thuash se jep vetëm 6.5 milionë euro apo 800 milionë lekë.Por edhe më impresionues është fakti se këto 10 milionë dollarë financime, cilësohen si çelësi i një politike bujqësore me dy presa, i një politike e cila synon jo vetëm përkrahje sociale, por mbi të gjitha zhvillimin ekonomik në bujqësi.Nisur nga ky objektiv “ambicioz”, mjaft analistë nxituan të llogaritnin se sa para do t’u takonin 400.000 familjeve fermere sikur këto fonde të shpërndaheshin njëtrajtësisht dhe horizontalisht. Nga aritmetika e tyre e thjeshtë, rezulton se çdo familje do të përfitonte vetëm 2 mijë lekë ose 25 dollarë, me të cilat ajo nuk ia del të plugojë as dy dynym tokë, dhe madje nuk blen as dy qese me pleh kimik.Për këtë arsye askush nuk i merr seriozisht fjalët “përkrahje sociale” dhe “zhvillim”, sepse qartazi aq para nuk janë veçse ca thërrime për gjysmën e popullsisë së vendit që jeton në fshat, e që për më tepër mban në gjirin e saj mbi 90% të shtresave të varfra dhe shumë të varfra të popullit. Madje, me kaq fonde i bie që edhe për vitin 2008, bujqësia të përfitojë vetëm 0.75% të buxhetit, duke u diskriminuar rëndë, pavarësisht se kontribuon në prodhimin e përgjithshëm bruto në masën 23%.Por ajo që më tërhoqi vëmendjen, ishte kredoja e ministrit të Financave, kur në konferencën e shtypit për promovimin e skemës së financimeve deklaroi: “Nuk jam partizan i formave horizontale të bashkëpunimit në bujqësi dhe nuk besoj në to”.Në fakt ndryshe nga çfarë beson ministri, të gjitha skemat e financimit në bujqësi të përfshira në programin demokrat për bujqësinë dhe të deklaruara të dështuara, karakterizohen nga populizmi, sepse ato janë me shtrirje të mirëfilltë horizontale. E tillë ishte për shembull skema e mbështetjes me naftë me 40 lekë litri për fermerët, e cila iu besua për zbatim komunave dhe u mbështet tek tufat e tallonave që do t’u ndaheshin fermerëve. Kjo skemë e huazuar nga socialistët, pritej të nxiste bashkëpunimin horizontal, sepse mendohej që bujqit do t’i bashkonin tallonet e sipërfaqet dhe kështu do të ulnin kostot e punëve në bujqësi dhe të prodhimeve të tyre.Përderisa kjo skemë, për të cilën u volën pa kursim votat në 2005 nuk u zbatua kurrë, atëherë del se jo vetëm ministri, por askush edhe brenda KOP-it nuk paska besuar fare në të.Kjo megjithatë nuk i kompleksoi dhe as që i pengoi demokratët që ta valëvitnin këtë skemë si lajtmotiv të fushatës elektorale të para dy viteve.Meqenëse tashmë edhe zyrtarisht, qeveritarët nuk besojnë tek paratë me qitje horizontale, të shohim se çfarë na ofrojnë goditjet financiare vertikale.Strategët e politikave bujqësore besojnë se “vertikalen financiare” mund ta ekzekutojnë më mirë mbi tapetin e sipërfaqeve të gjera që do të krijohen sipas tyre, pas konsolidimit me kohë të statusit të pronësisë mbi tokën.Megjithatë, askush nga ta nuk rreket të na sqarojë se si do të krijohen “qilime” të tillë të gjerë dhe të gjelbër sipërfaqesh të kultivuara, kur ende nëpër këmbë kemi ligjin e reformës agrare të njohur si 7501, në konflikt të hapur ky me ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave, dhe në sherr edhe me ligjin e legalizimeve si dhe me nismën “Shqipëria 1 euro”.Një skemë tjetër vertikale, e vlerësuar me një potencial përfitues prej 50 milionë dollarësh për fermerët, pritet të jetë skema e rimbursimit të TVSH. Sipas kësaj skeme, meqenëse bujqit i blejnë “inputet” për punët në bujqësi “sa frëngu pulën” dhe për më tepër të ngarkuara me tatimin mbi vlerën e shtuar, atëherë qeveria ofrohet t’ua rimbursojë paratë “ekstra” nëse ata do të arrijnë t’u shesin agro-përpunuesve prodhimet e tyre dhe të pajisen nga këta me faturë shitjeje. Përfytyroni një bujk, i cili me gomar të ngarkuar me prodhimet e bahçes, niset në mes të baltës dhe pluhurit, në kërkim të grumbulluesit ose agro-përpunuesit. Pa asnjë dokument identifikimi ai shpreson që zoti agro-përpunues do ta pajisë me faturë shitjeje. Në një rast fatlum, nëse ai ka certifikatë dhe arrin të shesë mallin, mundet që së fundi të pajiset me faturë shitjeje. I lodhur dhe i rraskapitur pas një ditë të lodhshme, kthehet vonë në darkë në shtëpi për t’u bërë gati që nesër të zbresë në qytet dhe të mbajë radhë në zyrat e tatimorëve për të marrë paratë. Përballë një kalvari të tillë, nuk besoj se gjendet një fermer që dëshiron të kryejë këtë “vertikale”.Por ajo që shquhet më lehtë në paketën 10 milionëshe, është profili klientelist i skemave të reja të financimit të bujqësisë. Kjo duket qartë edhe nga detajimi që Ministria e Bujqësisë i kryen pagesave në fushën e blegtorisë.Sipas ministrisë, përfituese nga pagesat direkte janë fermat blegtorale që mbarështojnë jo më pak se 10 krerë lopë qumështi të matrikuluar dhe që dorëzojnë prodhimin në qendrat e përpunimit të regjistruara në organet tatimore, dhe ku masa e mbështetjes parashihet të jetë 10.000 lekë/krerë/lopë në vit për racat e pastra.Për të mundur që të vlerësojmë ndikimin e pritshëm nga kjo masë ia vlen të përmendim se ferma me të tilla karakteristika në Shqipëri, janë më pak se gishtat e dorës dhe përfaqësojnë biznese të konsoliduar, të cilat me shumë probabilitet kanë përfituar edhe më parë nga grante të ndryshëm. Natyrshëm, mbështetja financiare për këto biznese do të duhej të ishte në formën e kreditit agrar me interes të ulët dhe jo subvencioni. Financimet për blegtorinë dhe bujqësinë do të ishin shumë më të efektshme po të përqendroheshin në ndërtime baxhosh, pikash grumbullimi, bazash frigoriferike dhe tregjesh rajonale, pra në forcimin e hallkave që lidhin prodhuesit me tregun. Vetëm në këtë rast numri i përfituesve do të ishte shumë më i madh dhe me mjaft ndikim.Këtë presin edhe fermerët e Shishtavecit për patatet që po iu kalben, këtë shpresojnë edhe fermerët e Dardhasit për mollët që i hedhin ushqim për lopët, nga mungesa e tregut të shitjes, apo barinjtë e Kurveleshit që e shesin një litër qumësht më lirë se një litër ujë.Si përfundim, fondet e shpallura me aq bujë, për përkrahjen e bujqësisë, janë të “shënjestruara” drejt një grushti përfituesish me status klientele, duke përjashtuar me mijëra bujq dhe fermerë për të cilët mbështetja financiare e premtuar mund të përmblidhet në shprehjen: “E pe, e pashë, zëre se ta dhashë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›