Metastazat vrastare të diktaturës
Shpërthimi i djeshëm na kthen edhe njëherë vëmendjen tek vigjilenca e përbashkët që duhet të na karakterizojë në procesin e gjatë të dekomunistizimit të jetës e të shoqërisë sonë. Që nga koha e fortifikimit ushtarak të simbolizuar me bunkerin, si forca e regjimit enverist në vend, shoqëria jonë ka ecur përpara, duke braktisur mendësinë “gjithë populli ushtar” për aspiratën e përbashkët të rreshtimit në familjen euro-atlantiste. Të gjithë së bashku kemi mundur të revolucionarizojmë edhe mendësinë filoruse të së majtës shqiptare, duke e sjellë atë tek parametrat e udhës së përbashkët të reformave drejt NATO-s. Në këtë stacion të rrugës kemi rastin të numërojmë incidentet e rrugës, apo edhe aksidentet e rënda, ku afërmendsh spikat ’97-a, si stacioni i zi që shtoi haraçin që shqiptarët po i paguajnë diktaturës enveriste.
Shpërthimi i djeshëm ishte një tjetër stacion haraçi që shqiptarët i paguajnë trashëgimisë diktatoriale. Metastazat komuniste u rishfaqën dje dhe na goditën të gjithëve, bash pak javë para se të marrim zyrtarisht ftesën për të nisur procedurat e anëtarësimit në NATO. Pa hyrë në përmasat e gabimeve njerëzore apo neglizhencave që mund të kenë shkaktuar tragjedinë, fatmirësisht jo në përmasa katastrofike, dje kemi ridëgjuar mbeturina të mendësisë izolacioniste se “Shqipëria e diktaturës ishte e pamposhtur”. Regjimi i dikurshëm ishte thjesht një bandë vrastare, e cila shkoi aq larg në apatridllëkun e vet, sa edhe sot e kësaj dite hasim rrugës kurthe të vogla e të mëdha, që i kemi trashëgimi prej atyre ditëve të zeza. Dajti i mbushur me armatim, kodrat e Shqipërisë të shndërruar në kurthe municionesh dhe fushat e infektuara nga bunkerët janë një panoramë e gjerë e kurtheve enveriste, me të cilat duhet të përballemi përditë. Harta e rreziqeve, një domosdoshmëri që duket se më në fund mund të jetë edhe në posedim të publikut, është me fjalë të tjera harta e kurtheve të vogla diktatoriale, harta e metastazave që do të tentojnë të na godasin përditë, sa kohë e ulim vigjilencën dhe e interpretojmë si të përmbyllur procesin e dekomunistizimit të shoqërisë. Metastazat shfaqen përditë edhe tek periodikët dhe emisionet televizive, teksa glorifikojnë diktaturën dhe personazhet e saj. Është një fragment i dekomunistizimit, në të cilin jemi shumë prapa. E prandaj për shpërthimin e djeshëm mund të bëjmë jo vetëm një hartë të paaftësive e neglizhencave tona, por së pari një hartë rruge se si duhet të çlirohemi nga metastazat diktatoriale që po na kushtëzojnë sot e kësaj dite, 23 vjet pas vdekjes së diktatorit.
Nga Ilir Nikolla