Qeveria, e vendosur për shfrytëzimin e potencialit turistik
Qeveria ka projekte për të gjitha zonat turistike. Kjo ka qenë deklarata e djeshme e kreut të qeverisë shqiptare ndërsa merrte pjesë në konferencën ndërkombëtare “Zhvillimi Lokal dhe Turizmi Vendas” që zhvillohej në universitetin “ Aleksandër Xhuvani” në Elbasan. Sipas Berishës, qeveria është duke filluar master planin e tregut të Jonianit, ndërsa ekzistojnë master plane për Adriatikun, si dhe projekte për të gjitha zonat turistike. "Shfrytëzimi i potencialit turistik, shfrytëzimi racional i këtij potenciali përbën pasurinë më të madhe të kombit tonë, pasurinë më të madhe, e cila në tërësinë e saj akoma është e fjetur dhe e pashfrytëzuar, dhe ende nuk është kthyer në një vlerë për qytetarët shqiptarë dhe europianë. Përpjekjet nga ana e qeverisë janë serioze për zhvillimin", tha Berisha. Sipas tij, duhet treguar një kujdes të madh për mjedisin dhe qeveria për të mbrojtur mjedisin është e vendosur për të ndërrmarë çdo vendim. Berisha theksoi se qeveria I jep një përparësi shumë të madhe kësaj çështjeje ndërsa këmbëngul se do të insistojë me të gjithë forcën e ligjit, që standardet mjedisore të respektohen nga të gjitha sipërmarrjet, dhe sipas Berishës, kjo është plotësisht e mundur. Në këtë konferencë, Kryeministri ka qenë i shoqëruar nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango dhe rektori i Universitetit, Liman Varoshi.