Punimet në rrugë dëmtojnë linjat e telefonit
• SHKODER - Investimet që po bëhen për rehabilitimin e rrugëve kryesore dhe dytësore të qytetit të Shkodrës kanë "çoroditur" "Albtelekom"-in.Ndërsa po punohet intensivisht nga firmat e ndërtimit në një numër të madh aksesh janë shkaktuar probleme të shumta, me dëmtimin e rrjetit telefonik në disa zona të këtij qyteti, duke lënë pa sinjal qindra banorë. Gjatë javëve të fundit, numri i defekteve është rritur aq sa ka shkaktuar alarm te drejtuesit e "Albtelekom"-it. Drejtori i këtij institucioni, Sabri Bushati, ka deklaruar se situata është vërtet problematike dhe se ajo është shkaktuar nga papërgjegjshmëria totale e firmave të ndërtimit që kanë marrë përsipër rehabilitimin e rrugëve të qytetit verior. Sipas Bushatit, ndonëse janë bërë disa herë takime me drejtuesit e këtyre firmave, ende nuk është bërë asgjë për zgjidhjen e këtij problemi. Ndërkohë, ai u ka bërë apel krerëve të Bashkisë së Shkodrës, e cila menaxhon investimet që po bëhen në rrugë, që të marrë masa urgjente dhe ndëshkuese ndaj firmave që vazhdojnë të dëmtojnë rrjetin telefonik e të shkaktojnë dëm financiar. Nga ana tjetër, Bashkia e Shkodrës ka pohuar se është në dijeni të këtij problemi dhe se pas takimeve të organizuara me drejtuesit e firmave të ndërtimit është rënë dakord që të bëhet rikuperimi i dëmit që i është shkaktuar "Albtelekom"-it. Kreu i "Albtelekom"-it, Sabri Bushati dje, është shprehur se disa zona janë duke kaluar probleme të jashtëzakonshme nga dëmtimet që bëhen në rrjetin e telefonisë fikse. Ai sqaron se, aktualisht problemet janë në tre zona: "Ura e Thive", "7 Shkurti" dhe "Bujar Bishanaku". "Kemi kërkuar disa herë përgjegjshmëri nga firmat e ndërtimit. Gjithashtu, kemi marrë përsipër që të bëjmë takime, por deri tani asgjë konkrete nuk është arritur. Në shumë raste dëmtimet e bëra mund të shmangeshin, sikur të na kërkohej ne si drejtori informacion për vendndodhjen e rrjetit telefonik", pohon Bushati. Sipas tij, në këtë rast dëmtohet jo vetëm "Albtelekom"-i që është i detyruar të ndërhyjë për riparimin e defekteve, por edhe qytetarët, të cilët nuk kanë shërbimin telefonik. Aktualisht, zona më shqetësuese është rruga "Bujar Bishanaku", ku janë dëmtuar 400 lidhje telefonike. r.d