Tiranë, zbulohen prindërit e foshnjës së braktisur
Një foshnjë dymuajshe është gjetur e braktisur dje në rrugën e lagjes Yzberisht të kryeqytetit nga kalimtarë të rastit. Ata kanë njoftuar policinë, pasi kanë dëgjuar të qarat e fëmijës që ishte lënë buzë rrugës. Policia e kryeqytetit tha dje se banorët e kësaj zone teksa ktheheshin nga Tirana drejt shtëpive të tyre kishin dëgjuar qarjet e një fëmijë buzë rrugës, i cili ishte lënë aty rreth një orë më parë. Personat që e kanë gjetur foshnjën i kanë telefonuar policisë, ndërsa pak minuta më vonë në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi i gatshëm. Policët nuk kanë arritur të gjejnë prindërit e fëmijës, pasi veç personave që e zbuluan foshnjën nuk ndodhej askush tjetër aty. Pas kësaj fëmija është dërguar në Spitalin Obstretik-Gjinekologjik të kryeqytetit, ndërsa policia ka nisur verifikimet dhe kontrollet në lagjen Yzberisht për të zbuluar prindërit e fëmijës së braktisur. Mjekët kanë përcaktuar se fëmija i seksit mashkull, ka rreth dy muaj që ka ardhur në jetë. Në momentin që është dorëzuar në spital ai ishte i uritur, ndërsa nuk ka pasur probleme shëndetësore. Fillimisht u dyshua se fëmija ishte sjellë nga ndonjë lagje tjetër e kryeqytetit dhe ishte braktisur në Yzberisht nga persona që e kishin lënë larg banesës së tyre për të humbur gjurmët. Por, rreth katër orë më vonë, policia ka arritur të zbulojë emrat e të dyshuarve si prindër të foshnjës dymuajshe. Sipas policisë ata quhen Armand dhe Erjona Pëllumbi, banorë të Yzberishtit, të cilët janë shpallur në kërkim. Paraprakisht ndaj tyre është ngritur akuza e braktisjes së fëmijës, ndërsa emrat e tyre i janë kaluar sektorit të personave në kërkim në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burime policore pohojnë se prindërve do u kërkohet fillimisht të rimarrin fëmijën e tyre në banesë dhe nëse nuk do ta bëjnë këtë gjë, atëherë do të ndiqen penalisht nën akuzën e braktisjes së foshnjës së mitur, për të cilën rrezikojnë dënim me burg. Deri mbrëmjen e djeshme policia nuk kishte asnjë të dhënë për vendndodhjen e dy prindërve të foshnjës së braktisur. Ende nuk dihen as arsyet që kanë shtyrë prindërit të ndërmerrnin aktin ekstrem ndaj foshnjës së tyre, për më tepër dy muaj pas lindjes. f.m.