E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e shtetit telegram ngushëllimi për aktorin

Zyra e shtypit e Presidencës bëri të ditur se në ambientet e Teatrit të Metropolit në kryeqytet, Kreu i Shtetit, pasi vendosi një kurorë me lule dhe u përul me respekt para trupit të pajetë të aktorit, u shprehu ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, miqve dhe artistëve të pranishëm.

Duke vlerësuar veprën artistike të aktorit të spikatur të humorit dhe të parodistit të talentuar të skenës së Teatrit të Estradës së Tiranës dhe të kinematografisë, Vasillaq Vangjeli, Presidenti Topi theksoi se "sot i jepet lamtumira e fundit njërit prej artistëve më me emër të skenës dhe ekranit shqiptar, Vasillaq Vangjelit, një artisti me intuitë të hollë dhe me një diapazon të admirueshëm, një aktori që i takonte sa pjesës së humorit, por edhe dramës". Presidenti Topi tha se "Vasillaq Vangjeli, me karakterin e tij, me aftësinë për të depërtuar thellë në ndërtimin e roleve ai bëri për vete zemrat e shumë shqiptarëve. Padyshim që kështu do të mbetet edhe në kujtesën e shoqërisë shqiptare si një njeri me ndjesi dhe një botë shumë të ndjeshme, një njeri komunikues në ambientet me kolegët, por edhe me shoqërinë si dhe një artist me vlera të rralla".

Mesazh ngushëllimi ka dërguar edhe kryeministri Sali Berisha. “Sot është një ditë trishtimi për ju që humbët njeriun tuaj të dashur, por edhe për botën artistike që humbi njeriun që ia dedikoi jetën skenës së teatrit të estradës dhe komedisë. Vasillaqi, me talentin e tij, u shndërrua në një nga aktorët më të dashur të komedisë për shqiptarët, i cili  ju dha buzëqeshjen edhe në kohëra të vështira për ta. Në kujtesën e publikut shqiptar do të mbetet i paharruar personazhi shumë i dashur për të tek Zonja nga Qyteti dhe loja e tij e shkëlqyer autoriale”, shkruan kryeministri. 

Mesazh ngushëllimi ka dërguar edhe kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. "Me hidhërim të madh mësova për ndarjen e parakohshme nga jeta të aktorit shumë të dashur për të gjithë ne shqiptarët, Vasillaq Vangjeli. Teatri i estradës dhe komedisë dhe i gjithë komuniteti i artit shqiptar humbi aktorin e spikatur, që me humorin e tij solli kënaqësi shpirtërore në çdo familje shqiptare. Vasillaq Vangjeli,  aktori me shpirt të lirë, mbetet nga të parët që çmitizoi me humor e ironi therëse diktatorin Hoxha, ashtu siç do të mbetet në kujtesën e të gjithëve me dhjetra rolet që ai interpretoi për vite të tëra”, thuhet në telegram. /Start/

                                                                                             2011-09-27 15:53
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›