E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania mbështetje Shqipërisë për energjinë

Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Carola Müller-Holtkemper, prezantoi të mërkurën në mjediset e ambasadës në Tiranë, programin e edicionit të pestë "Tetori Gjerman 2011", i cili do të zhvillohet  në datat 30 shtator-10 nëntor.

"Ky program vjen sivjet si një risi, pasi trajton nën lajtmotivin "Klimë – Energji – Ndryshim" tema të së ardhmes, sikurse janë ndryshimet klimaterike, energjitë e rinovueshme dhe eficenca e energjisë", tha ambasadorja gjermane.

Duke konsideruar garantimin e një furnizimi energjetik të besueshëm, ekonomik, të pajtueshëm me mjedisin, si një nga sfidat e mëdha të shek. XXI dhe faktin, që Shqipëria prodhon më shumë se 90% të energjisë elektrike prej fuqisë hidrike dhe zotëron një potencial të konsiderueshëm për energjitë e rinovueshme, Carola Müller-Holtkemper tha se "bashkëpunimi ekonomik gjerman, në koordinim me qeverinë shqiptare, do të përqëndrohet ndër të tjera, në sektorët e furnizimit me energji elektrike dhe mjedisit, përfshirë dhe ujësjellës-kanalizimet". 

Në këta sektorë, Shoqata për Bashkëpunim Ndërkombëtar, GIZ, Banka Gjermane për Rindërtim dhe KfW kanë përvojë të madhe. "Me anë të projekteve në këto fusha, por edhe në të tjera veç tyre, Gjermania e mbështet Shqipërinë në rrugën e saj të integrimit në BE", tha Ambasadorja Holtkemper.  Ajo prezantoi programet që ka për të ardhmen Gjermania, e cila me çmimet e veta konkurruese të energjisë dhe nivelin e lartë të mirëqenies, mendohet të jetë një ndër ekonomitë botërore më eficiente në sektorin e energjisë si dhe në mbrojtje të mjedisit në mbarë globin.

"Që tani Gjermania ka një emër të shkëlqyer dhe kompetenca të larta në sektorin e mbrojtjes klimaterike dhe energjive të rinovueshme. Firma të ndryshme gjermane mbajnë pozicione udhëheqëse në treg për sa u përket energjive të rinovueshme dhe produkteve të teknologjisë së lartë. Kontributi i Gjermanisë me teknologji mjedisi përbën 16% të mbarë tregut botëror", tha ambasadorja Carola Müller-Holtkemper. /Start/

                                                                                             2011-09-28 16:00
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›