Kreshnik Hajdari do të vijojë në krye të bashkisë së Kuçovës, KAS lë në fuqi vendimin

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka lënë në fuqi vendimin e Celibashit që Kreshnik Hajdari të vijojë të jetë në krye të bashkisë së Kuçovës.
Hajdari u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove.
Ky dënim erdhi pasi kryebashkiaku nuk kishte deklaruar një dënim të marrë 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar më pas në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës 17 vjeç. Ky mosdeklarim në formular i ka kushtuar një betejë të gjatë politike me opozitën, e cila prej më shumë se 3 vitesh kërkon t’i hiqet mandati.