E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i Autoritetit të Komunikacioneve padit vartësit e tij

Ilir Shehu ka paditur në Gjykatën e Tiranës anëtarët e Bordit Drejtues të AKEP-it

Tiranë - Kreu i AKEP-it (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare), Ilir Shehu, ka paditur vartësit e vet, anëtarët e Bordit Drejtues, të cilët rreth dy muaj më parë, me shumicë vote kanë votuar rregulloren e re ku janë rishikuar disa pika të vendimmarrjes së këtij institucioni. Këto ndryshime në rregulloren e funksionimit të vendimmarrjes duket se kanë hasur në kundërshtinë e Shehut, i cili, pas miratimit, ka zgjedhur të çojë në Gjykatën e Tiranës padinë e tij duke i konsideruar si të pabazuara në ligj disa prej ndryshimeve. Kërkesa e Shehut është pasqyruar edhe në shpalljet publike të Gjykatës së Tiranës. Burime pranë AKEP-it informuan “Albania”-n se brenda Bordit Drejtues të këtij institucioni prej disa muajsh po zhvillohet një “luftë e ftohtë” mes dy fraksioneve të bordit. Kjo përplasje ka kulmuar sidomos gjatë procedurave tenderuese për operatorin e katërt celular në vend, ku mes denoncimit të shkeljes së procedurave në media AKEP-i vendosi të shpallte fituesin.
Skandali
Garat për operatorët telefonikë celularë në Shqipëri janë karakterizuar gjithnjë nga një klimë e fortë konkurrence mes kompanive nga më të mëdhatë në botë. Por, çuditërisht, tenderi për operatorin e 4-t bëri përjashtim. Përveç një konsorciumi me bazë PTK-në e Kosovës, i vetmi ofertues alternativ ishte kjo firmë, me seli në Durrës, e cila u krijua pasi u hap tenderi publik. Ky është një rast i paprecedentë kur një kompani e sapokrijuar synon dhe mundet të hyjë në garë në një terren thellësisht profesional dhe të lakmuar, siç është ai i telefonisë celulare. Për më tepër, kriteret e tenderit publik kërkojnë nga ofertuesit që të kenë disa kritere bazë të padiskutueshme, të cilat fillojnë që nga paraqitja e aktivitetit në katër vitet e fundit të kompanisë e deri te numri i punonjësve të saj. Si mundi firma “Univers PG” të përmbushte këto kritere, ndërsa u krijua vetëm në muajin mars 2009, dy muaj pasi tenderi u hap për herë të parë?
Tenderi
Kur qeveria i hapi rrugë tenderit për operatorin e katërt celular në vend, asokohe, Ministria e Transporteve, në disa deklarata bëri të ditur se pranë saj ishin interesuar disa kompani të mëdha. Madje kjo ministri premtoi se do ta shpallte tenderin edhe në disa media prestigjioze ndërkombëtare. Por, ndryshe nga sa u premtua, të vetmet shpallje kanë ngelur ato të pronarit të firmës “Univers PG” në disa forume të lira në internet. Kjo firmë, e cila u krijua një muaj pasi kishte dorëzuar letrat e saj në Komisionin e Vlerësimit të Ofertave, ka lënë gjurmë në disa forume të lira, që u kushtohen përdoruesve dhe fansave të telefonave celularë, duke u kërkuar ndihmë pronarëve të disa markave të famshme telefonike, por edhe duke premtuar informacione të volitshme për tenderin që pritej të zhvillohej. Që në muajin janar pronari i firmës ende të pakrijuar “Univers PG” i shkruante presidentit të firmës “Ericsson”, Karl Svenberg, që ta ndihmonte duke i ofruar ortakëri. Sipas pronarit të “Univers PG”, kompania e tij kishte hyrë në tender në muajin janar, zotëronte informacione të vlefshme dhe kishte nevojë për një kompani të madhe për të bërë ortakëri. Ajo që të çudit më shumë në këtë histori është fakti se shënimet dhe ftesat që pronari i firmës “Univers PG” i ka bërë presidentit të firmës “Ericsson” gjenden lehtësisht dhe në internet. Këto ftesa të pronarit të firmës shqiptare gjenden kollaj, pasi ai i ka shkruar ofertat e tij jo në një e-mail privat, por në një faqe elektronike ndërkombëtare, e cila shërben si forum për diskutimin e problemeve që kanë përdoruesit e celularëve me aparatet e tyre.

Vendimi i qeverisë e ktheu garën në prokurim të drejtpërdrejtë

Qeveria shpalli fitues të shfrytëzimit të hapësirës së katërt celulare në vend bashkimin e ofertuesve, përfaqësuar nga Posta e Kosovës, edhe pse kjo ishte e vetmja kompani në një tender, i cili, në fakt, dështoi. Ky dështim provohet në relacionin që i bashkëngjitet projektligjit të miratuar më 1 prill në qeveri. Në relacion theksohet se edhe pse pati shumë interes nga kompani të ndryshme për tenderin e licencimit të operatorit të katërt, ditën e tenderit u paraqitën vetëm 2 bashkime ofertuesish: “PTK” me 4 kompanitë shqiptare, si dhe “Universal PG”. Oferta e shpallur nga “Universal PG” u shpall direkt e pavlefshme, pasi nuk plotësoi kushtet për dokumentacionin standard sipas ERT-së. Në këtë rast oferta e “Postë Telekomunikacion Kosova” me 7.2 milionë euro, edhe pse rezultoi më ekonomike, nuk mund të shpallej fituese, pasi, sipas procedurave të prokurimit publik dhe rregullave të prokurimit, përcaktohet se një garë është e suksesshme kur numri i ofertave konkurruese duhet të jetë më shumë se numri i frekuencave. Që do të thotë se numri i garuesve duhet të ishte domosdoshmërish 2 ose më tepër kompani. Në bazë të kësaj rregulloreje, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike, pra Enti Rregullator i Telekomunikacioneve, duhet të shpallte një datë tjetër për konkurrimin. Por, në rastin konkret, qeveria ka gjetur një tjetër rrugë për të legjitimuar këtë shkelje, atë të dhënies pa tender duke futur në lojë Parlamentin për dhënien në përdorim të frekuencës vetëm për 15 vjet bashkimit të ofertuesve të PTK-ja dhe paraqitjen e kësaj zgjidhjeje në Kuvend për miratim. Qeveria madje i kërkon Kuvendit të vlerësojë shkaqet për këtë zgjidhje. Qeveria argumenton se konsorciumi i shpallur fitues jep ofertën më të mirë për tarifën e bisedës së telefonisë celulare.

Tenderi, kompania fituese mashtroi publikisht pas tenderit të parë

Pesë ditë pasi kishte nënshkruar kontratën e konsorciumit, përfaqësuesi i “PTK”-së, Shyqyri Xhaxha, deklaroi nga Prishtina se konsorciumi i udhëhequr me 30 për qind nga “PTK”-ja kishte dalë i pari në tenderin për operatorin e katërt celular në Shqipëri. Ai deklaroi se “PTK”-ka kishte dalë e para në tender duke dhënë përshtypjen se ishte pikërisht kjo firma që udhëhiqte konsorciumin. Por vetëm pesë ditë më parë, vetë zoti Shyqyri Xhaxha kishte hedhur firmën mbi kontratën e konsorciumit në Tiranë, në bazë të së cilës firmës “PTK” nuk i njihej roli si 30 për qind investitor, edhe pse rezultonte 30 për qind aksionere. Në deklaratën e tij të bërë më 23 shkurt 2009, zoti Xhaxha përmend faktin se kompania “PTK” nuk është e obliguar të paguajë paraprakisht asnjë qindarkë, porse kjo kompani do të kryente investimin e saj konform ligjeve shqiptare (pra investimin prej 30 përqindësh) në rast të fitimit të tenderit. Por kjo kontratë mes palëve të konsorciumit duket se minimalisht e “përgënjeshtron” këtë deklaratë të përfaqësuesit të kompanisë kosovare, pasi vetë ai kishte firmosur pesë ditë më parë kontratën e fshehtë, që nuk e njihte “PTK”-në si investitor, madje një kontratë që e paracakton rolin e “PTK”-së si provizor. “PTK në këtë konsorcium ka hyrë me 30 për qind të aksioneve bazë, përmes modelit ‘Knou hou’, një model ky bashkëkohor ekonomik, ku pjesëmarrja e PTK–së ofron njohuri, përvojë, ekspertizë profesionale dhe biznesi në fushën e telekomit. Si menaxhment do të bëjmë çmos që të mbrojmë interesin e kompanisë sonë (PTK) dhe ta ngremë standardin e saj. Deri tash nuk kemi shpenzuar dhe nuk jemi të obliguar që të shpenzojmë asnjë cent. Nëse fitohet tenderi, atëherë ne do të jemi shumë të kujdesshëm që shprehja e interesit për investime nga ana e PTK-së të realizohet në përputhje me Ligjin e Prokurimit, me Ligjin për Ndërmarrjet Publike si dhe hierarkisë së ndërmarrjes”, - ka deklaruar më datën 23 mars zoti Shyqyri Xhaxha, i cili në mediat kosovare cilësohet si kryeshefi i Postë Telekomunikacioneve.

11 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›