Lefter Koka, kandidatura për kreun e Grupit Parlamentar të LSI-së
Lëvizja Socialiste për Integrim do të ketë grupin e saj parlamentar në legjislaturën e re. Në fakt, LSI-ja përfaqësohet në Kuvend vetëm me katër deputetë, por për plotësimin e numrit të nevojshëm prej 7 deputetësh për krijimin e grupit parlamentar, përfaqësuesit e LSI-së kanë nisur negociatat për afrimin e deputetëve të tjerë. Me shumë mundësi LSI-ja do të “huazojë” tre deputetë nga PD-ja, duke qenë se është edhe aleatja e saj kryesore në koalicionin qeverisës. Huazimi i deputetëve pritet të bëhet me marrëveshje midis Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një gjë e tillë do të ishte në interesin e të dyja partive. Ndërkaq, mësohet se kandidatura kryesore për drejtimin e Grupit Parlamentar të LSI-së është ajo e deputetit Lefter Koka. Koka, në fakt, është i vetmi deputet i LSI-së, i cili nuk u përfshi në postet dhe funksionet e larta drejtuese që LSI-ja përfitoi nga marrëveshja për bashkëqeverisjen me PD-në. Por kjo duket se do të jetë edhe arsyeja që deputetit të Durrësit t’i besohet drejtimi i Grupit Parlamentar të LSI-së.
Edhe në legjislaturën e kaluar LSI-ja kishte të regjistruar grupin e saj parlamentar. LSI-ja kishte 5 deputetë, përkatësisht Ilir Metën, Sabit Brokajn (i zëvendësuar nga Spartak Braho, pas tërheqjes nga jeta parlamentare), Ndre Legisin, Dritan Priftin dhe Pëllumb Xhufin. Grupit Parlamentar të LSI-së iu bashkuan edhe deputetët Nikollaq Neranxi, Petro Koçi, Luan Memushi dhe Angjelina Kola. Në Grupin Parlamentar bënte pjesë edhe kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo.
11 Shtator 2009