Lëvizja gjithçka, thelbi asgjë
Një fytyrë më pak e buzëqeshur se zakonisht e kryeministrit Sali Berisha kumtoi parmbrëmë para shqiptarëve kabinetin e ri të ministrave për katër vitet e ardhshme. Kishte kuriozitet të kuptueshëm për të parë se cila do të ishte përbërja e qeverisë re, e kjo për shumë arsye. Zgjedhjet milimetrike të 28 qershorit e bënë të domosdoshme një qasje të ndryshme ndaj problematikës së zhvillimit dhe ndaj perspektivës së integrimit europian. Një dinamikë tjetër kërkohet edhe në shumë fusha, si energjia, arsimi, shëndetësia. Por asgjë prej këtyre nuk ndodhi.
Ajo që ka ndodhur në fakt me qeverinë “Berisha 2” është një shembull i pastër i triumfit të formës mbi përmbajtjen. Pasi me formë duhet kuptuar edhe partia e Metës, të cilën me të drejtë e konsiderojnë si një komponent teknik të maxhorancës, dhe jo si një prurje të mirëfilltë politike. Qeveria e sotme nuk ndryshon thuajse në asnjë element nga kabineti paraardhës. Me të vetmin ndryshim, që është rikthyer Fatmir Mediu, që janë spostuar, me dhe pa arsye të lexueshme, disa ministra dhe që është afruar, siç thamë më lart, LSI-ja. Në të kundërt, lista që kemi sot para syve mund të konsiderohet si një shkartisje ministrash në mesin e një mandati, më shumë sesa një kabinet i ri që kërkon të përfshijë dhe të pasqyrojë stadin e ri të punëve ku ndodhet vendi dhe që synon të kryejë një thyerje pozitive në raport me të shkuarën.
Mesazhi i fuqishëm i zgjedhjeve, praktikisht një barazim matematikor, ishte se në qeverinë e re duheshin korrigjuar disa elemente esenciale. Kjo është brenda logjikës së rënies së dukshme të përkrahjes për maxhorancën, krahasuar me vitin 2005. Mund të thuhet, pasi kemi parë qeverinë e re, se Berisha nuk e ka marrë aspak në konsideratë këtë nevojë urgjente. Qeveria e shkuar dështoi në luftën ndaj korrupsionit, përgjigjja është hyrja në qeveri e dy ministrave të hetuar për abuzime dhe korrupsion. Kabineti paraardhës tregoi efektivitet të ulët administrativ, politika apatike në fushën e shëndetësisë, arsimit, bujqësisë, si dhe në procesin e integrimit europian – asnjë lëvizje konkrete nuk nuhatet në këto drejtime. Lëvizja e ministrave në vetvete është formë, ajo që mungon është substanca, vullneti dhe kapaciteti për të ndryshuar konkretisht për mirë.
Një tjetër defekt parësor i këtij kabineti është kapja e tij në rrjetën e interesave të dyshimta politike dhe personale. Kapja politike diktohet nga shifrat anemike mbi të cilat ngrihet ky kabinet. Kurse kapja personale pasqyrohet në ruajtjen e të njëjtave marrëdhënie të përfolura të kabinetit të shkuar dhe që realisht përbën kosto politike për kryeministrin dhe maxhorancën. Skema e ndërtuar aktualisht, me LSI-në e fuqishme në tri dikastere, tingëllon në hapat e parë të rrugës si një element stabiliteti. Nuk dihet sa do të jetë i suksesshëm ky bashkëpunim në afat të gjatë kur dihet se përgjithësisht aferat me Metën kanë formën e një lotarie. Kapja e kryeministrit në merimangën e numrave bën që katër votat e LSI-së të jenë vërtet “prej floriri”, siç ka deklaruar një ministër i sapoemëruar, në peshën dhe rëndësinë që kanë për mbajtjen në jetë të vetë shumicës aktuale. Pamundësia e Berishës për t’u çliruar nga kthetrat e LSI-së përbën një rrethanë që do të diktojë në mënyrë të ndjeshme performancën dhe vetë klimën brenda kabinetit qeveritar.
Ndërkaq, e njëjta gjë, por për arsye të ndryshme, mund të thuhet për aleatin tjetër, të sikletshmin Fatmir Mediu. Duket e sigurt se Berisha e ftoi pa dëshirë Mediun në kabinet dhe se marrëveshja e tyre ka më shumë formën e një “pengmarrjeje”, sesa të një akordi normal post-zgjedhor. Arsyet i dinë dy personat që kanë firmosur, por janë jo të paktë shqiptarët që kanë një mendim të pjekur rreth natyrës së këtij bashkëpunimi, mbi kryet e të cilit ka më shumë se një pikëpyetje.
Në këto kushte, “Berisha 2” ngjan më shumë me një kabinet që kërkon t’i ikë me çdo kusht një krize të mundshme, duke i kënaqur të gjithë, por duke dëmtuar në të njëjtën kohë kauzën qendrore që i mban bashkë – qeverisjen e Shqipërisë. Berisha deklaroi se integrimi, lufta kundër korrupsionit dhe shëndetësia (kjo e fundit për një rrethanë rastësore që lidhet me gripin e derrave), do të jenë prioritetet e kabinetit të ri. Angazhim i bukur, por ekzekutim jo po aq i arrirë. Pasi nuk luftohet as korrupsioni, nuk arrihet as Europa me të njëjtët njerëz, defekte dhe plagë brenda vetes. Kjo qeveri është vazhdimi i asaj së vjetrës. Me të gjitha patologjitë që i pamë dhe i provuam në katër vitet e shkuara.
Dikush e pyeti Berishën “përse ka kaq pak gra në qeveri?”. “Merreni këtë si një fillim”, - qe përgjigjja e kryeministrit, që nuk harroi kësisoj t’u kujtojë ministrave të tij, ende pa u tharë boja e dekretit të emërimit, se janë kalimtarë dhe të përkohshëm në postet e tyre. Një batutë në vendin, por jo në kohën e duhur...
Skënder Minxhozi
11 Shtator 2009