Dëshmitari: Si u shemb “Muri i Berlinit” me Kosovën
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Dhjetë vite më parë me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë do të binte “Muri i Berlinit” mes shqiptarëve. Ky mur që kishte ndarë padrejtësisht kombin në mes ra falë bombardimeve të trupave të NATO-s për mëse 70 ditë dhe luftës së njësive të UÇK-së nga toka. 10 vite më parë mijëra shqiptarë të Kosovës që ishin strehuar në Kukës dhe që kishin humbur shpresën për një rikthim në trojet e tyre, por dhe mijëra qytetarë të Kukësit marshuan bashkë me ushtarët e NATO-s për në pikën e kalimit kufitar në Morin, e cila mbahej ende nga trupat serbe. Prej andej, komanda gjermane i urdhëroi se kishin vetëm 30 minuta kohë për t’u kthyer në Serbi. Tashmë, në këtë vend ku ranë simbolet serbe ngrihet flamuri i shtetit më të ri në botë, ai i Kosovës. Kuksianët kujtojnë me emocione se si e kanë përjetuar atë ditë të paharruar për ta. Njëri prej tyre është Fidaim Dida nga Përbregu. Ai njihet nga të gjithë në Kosovë, por edhe në Kukës si një nga personat që ka kontribuar për lirinë e Kosovës, duke ndihmuar ushtarët dhe armatimin të kalonin matanë kufirit. Stani i tij në Koritnik, pranë kufirit, ka qenë baza e furnizimit me armatime të UÇK-së. Pamja e jashtme e cilëson si një sozi të Adem Jasharit. “Kosova, - thotë ai, - ka qenë gjithnjë brenga ime”.
Çfarë kujtoni nga 12 qershori?
Mezi prisnim të dilte mëngjesi. Kishte fjalë se të gjithë do të hynim në Kosovë. Kjo na e shtonte ankthin e pritjes së gjatë. Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme si për mua ashtu dhe për gjithë shqiptarët. Jeta ime këtu shënon dhe kulmin e saj. Nuk mendoj se mund të ndihem si atë ditë edhe sikur të jetoj mijëra vjet. Bashkë me shokët e mi që ndihmuam UÇK-në, kemi kapur të parët tabelën që ndante kombin tonë prej dekadash. Ishte një tabelë e madhe ku shkruhej RFSJ (Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë). E kisha parë qindra herë nga larg atë tabelë dhe gjithnjë ëndërroja që ta shkulja, por nuk e kisha menduar se kjo ditë do të vinte kaq shpejt. Pasi e shkarravitëm morëm një hekur dhe disa gurë, duke e goditur derisa e rrëzuam. Ishte e rëndë dhe me një grup të tjerë njerëzish, duke kënduar, por dhe duke e sharë e hodhëm në përrua. Rreshti i njerëzve që hynin nga dogana nuk kishte të ndalur. Me shpejtësi disa të tjerë ulën e dogjën flamurin serb, duke ngritur atë shqiptar. Deri në Prizren kemi ecur në rrugën vetëm me një kalim, ku kemi parë ushtarët serbë që tërhiqeshin e njerëzit që dilnin nga shtëpia, duke puthur rrotat e tankeve gjermane dhe pështyrë mbi trupat serbë. Momenti i shkuljes së tabelës është fiksuar nga shumë kamera dhe nga jashtë njerëzit me telefononin të kënaqur me atë çka kishin parë.
Kishit kaluar më parë në Kosovë?
Po, ilegalisht në vitin 1997. Kishim lidhje me UÇK-në dhe me disa prej njësiteve të saj. Ideja ishte që të dërgonim armë atje. Ishin armë nga ato tonat që ishin marrë nga trazirat që ndodhën. Kemi kaluar kufirin me pak armë të lehta që ua dorëzonim në qafën e Zurit njerëzve të UÇK-së. Këto kanë qenë ngarkesat e para, pastaj kemi dërguar shumë, kur njësitë e UÇK-së u forcuan. Gjithçka e kemi bërë për lirinë e Kosovës, për kombin tonë të ndarë padrejtësisht. Familja ime ka pasur vazhdimisht lidhje me Kosovën. Që nga viti 1981, kur studentët demonstrues, që ishin fis i yni u arratisën nga Kosova dhe për vite të tëra janë strehuar në shtëpinë time për të vazhduar më pas, në vitet ‘90-të ku vazhdimisht kam mbajtur kosovarë në shtëpi, të cilët i kam ndihmuar me sa kam mundur. Ishin të gjithë njerëz të luftës.
Po tani si të duket Kosova?
Shumë më mirë se ka qenë, por pas marrjes së pavarësisë ne duam që ajo të bashkohet me Shqipërinë. Nuk harroj se nga bindjet e mia nacionaliste dhe përkrahja që kisha në Kosovë edhe gjermanët ma kishin ndaluar disa kohë hyrjen në Kosovë, pasi më akuzonin se ngjall trazira. Ishin kohët pas lufte kur ne kërkonim lirimin e të burgosurve kosovarë në Serbi dhe gjetjen e të humburve. Më vonë nisën edhe protestat kundër arrestimeve ndaj luftëtarëve të lirisë.
Kosova feston Ditën e Lirisë
Dje Kosova festoi 10-vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s, tashmë festë kombëtare e njohur si “Dita e Lirisë”. Më 12 qershor 1999, NATO nisi bombardimet kundër forcave serbe, duke kurorëzuar aspiratat shekullore të Kosovës për liri. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se 12 qershori është dita kur konflikti dhe eksodi mbeten histori e së kaluarës. Ndërsa Kryeministri Hashim Thaçi, tha se në këtë ditë nisi liria e Kosovës. Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, i dërgoi një mesazh urimi Presidentit Sejdiu, drejtuar gjithë Kosovës.