Mijëra pelegrinë kalojnë natën në Kishën e Shën Ndout
LAÇ - Mbi 500 mijë pelegrinë kaluan natën tek Kisha e Shën Ndout në Laç. Mijëra besimtare mësyhen në qytetin e Laçit, duke u ngjitur më pas për tek Kisha e Shën Ndout, ku kanë qëndruar për gjatë gjithë natës. Besimtarë nga të katër anët e vendit, madje dhe tej kufijve kishin ardhur për të “prekur” nga afër gjurmët e shenjtit. Që prej 18 marsit, që është e marta e parë, qyteti 4 apo 5-fishohet. Trenat, vetëm në këto ditë funksionojnë me kapacitet të plotë. Furgonët, autobusët, gjithfarë targash e markash, që sjellin njerëz nga të gjitha rrethet e vendit, por edhe nga Kosova e Maqedonia. Shumica e tyre preferojnë ta bëjnë të gjithë rrugën me këmbë. Dje policia ishte e pranishme kudo për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në rast nevoje. Kjo ditë është e shënuar edhe për lypësit, të cilët kanë ardhur nga të gjitha rrethet dhe janë vendosur në dy anët e rrugës. Sapo udhëton jo më shumë se dhjetë minuta sipër qytetit të Laçit, besimtarët fillojnë të kryejnë ritet sipas gjurmëve të Shën Ndout. Dëshmitarë të shumtë pohojnë se në këtë kishë vazhdimisht kanë ndodhur mrekulli. r.n