E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kreu i KMSH, Haxhi Selim Muça uron shqiptarët për Fitër Bajram

TIRANË-Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Selim Muça, ka uruar besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për festën e Fitër Bajramit. Ceremonia e faljes së Bajramit do të bëhet si çdo vit në bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në sheshin përpara ish- Hotel Dajti në orën 06:23.

Në përshëndetjen e tij drejtuar besimtarëve myslimanë Kryetari i KMSH thekson se, “tashmë po dalim nga muaji më i dashur dhe miku më i njohur ndër myslimanët - Ramazani, muaji i agjërimit, mëshirës, lutjeve; muaji i shpalljes së Kuranit, muaji në të cilin nuk u kursye ndihma dhe mëshira hyjnore. Nesër është Bajram dhe me këtë rast i uroj të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Fitër Bajramin. Paqe, lumturi dhe harmoni sjelltë në familjet tuaja.

Bajrami është festa më e dobishme dhe më e bekuar për myslimanët. Zoti thotë: “Për mua agjëruat në muajin e Ramazanit dhe sipas urdhërit tim falët namazin e bajramit. Kthehuni tani në shtëpitë tuaja të pastruar nga gjynahet e të falur.

Urimet dhe vizitat e Bajramit janë tradita të vyera të popullit tonë, të cilat kanë lënë gjurmë të thella e të pashlyeshme. Profeti Muhamed (a.s.) thotë: “Veprimi më i dashur për Allahun pas kryerjes së obligimeve, është kur një mysliman e gëzon vëllain e tij. Nisur nga kjo, le të shërbejnë këto ditë feste për më shumë mirësi, afrimitet dhe dashuri mes njëri-tjetrit, në të mirë të shoqërisë, kombit dhe gjithë njerëzimit.

U uroj edhe njëherë besimtarëve myslimanë dhe gjithë shqiptarëve, ta gëzojnë këtë festë me familjen, farefisin, fqinjët dhe gjithë shoqërinë. Zoti ju dhëntë mirësi e begati dhe ua pranoftë agjërimin e adhurimet që keni kryer gjatë muajit të bekuar të Ramazanit”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›