Kreu i Kongresit: Duhet ta sulmojmë Sirinë

Njeriu i parë i Kongresit amerikan, republikani John Boehner, e mbështeti veprimin ushtarak në Siri. Boehner u takua në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Barack Obama, ku tha se është për intervenim në Siri.
"Gjatë gjithë historisë së saj Amerika ka luftuar për demokraci dhe liri në botë. Ne duhet të përgjigjemi për përdorimin e armëve kimike. SHBA-të kanë aftësinë dhe kapacitetin për të ndaluar Assadin, si dhe të paralajmërojë të tjerët në botë se ne nuk do të tolerojmë një sjellje të tillë”, tha Boehner, transmeton The Washington Post .
Kryetar i Kongresit u bëri thirrje kolegëve ligjvënës që të votojnë për intervenim në Siri. Ai tha se i është mirënjohës Obamas që vendosi të punojë me Kongresin në lidhje me këtë ndërhyrje, transmeton telegrafi. Obama ka përsëritur edhe një herë se sulmi me armë kimike duhet të dënohet, në mënyrë që të dërgohet mesazhi i qartë se askush, askund, kurrë nuk do të guxojë të përdorë armët kimike.
"Amerika duhet të marrë masa, por do të jetë më e fortë nëse këtë e bëjmë së bashku”, ka thënë Obama. “Siria nuk është Irak e as Afganistani. Do të jetë një hap i ngushtë, i kufizuar, që do të dërgojë një mesazh të qartë jo vetëm për regjimin e Asaadit, por për të gjitha ato vende që dëshirojnë të testojnë standardet ndërkombëtare, se ka pasoja për këtë”./Indeksonline/