Pavarësisht rezistencës, familjes Selmani iu rrënua shtëpia

Pasi janë arrestuar dy nga anëtarët e familjes, buldozerët kanë nisur rrëzimin e shtëpisë, e cila ishte pengesë për vazhdimin tutje të autostradës “Ibrahim Rugova”. Familja Selmani, nga Mazgiti i Obiliqit, e cila nuk ishte e kënaqur me vlerën e ofruar për shtëpinë dhe tokën e tyre, nuk deshi të dilte nga shtëpia duke pritur një vendim të gjykatës, në të cilën e ka dërguar ekspertizën e bërë nga komisioni vlerësues.
Madje edhe kërcënimi i njërit prej anëtarëve të familjes se do të kërcente nga ballkoni nuk ka çuar peshë të madhe dhe shtëpia është rrëzuar. Por policia ka njoftuar më pas se nuk janë arrestuar të gjithë anëtarët, por vetëm dy burra të familjes janë shoqëruar në gjykatë, nga ku më pas janë liruar, transmeton KTV. Kurse Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor thotë pasi gjykata të marrë vendim pas ankesës së familjes, atëherë ministri sërish do ta shqyrtojë vendimin.
Familja Selmani një ditë më parë deklaroi se qeveria u ofroi atyre vetëm 170 mijë euro, por sipas këtij vendimi të Ministrisë së Financave, familjes i janë paguar 641 mijë euro për gjithë tokën prej 44 mijë metrash katrorë dhe shtëpinë e tyre./Indeksonline/