E Shtunë, 31 Tetor 2026

Jahjaga: S’ka modifikim të Planit të Ahtisaarit

Në praninë e një numri të madh studiuesish dhe specialistësh të çështjeve të Ballkanit, presidentja Atifete Jahjaga në fjalën e saj të mbajtur në Universitetin Johns Hopkins në Washington, tha se Kosova është bërë me sukses pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, dhe se do të vazhdojë të kërkojë anëtarësimin në të gjitha institucionet dhe organizatat ndërkombëtare. Ajo tha më tek se Kosova nuk pranon modifikimin e planit të Ahtisaarit. Lajmi bëhet i ditur nga VOA.

"Ky angazhim,- tha Jahjaga,- është demonstruar në të gjitha proceset, që qeveria e Kosovës është angazhuar, edhe në dialogun me Republikën e Serbisë. Por sipas saj, parimet bazë të shtetit dhe mirëqenies së Kosovës nuk do të jenë dhe nuk duhet të jenë pjesë e diskutimit me ndonjë vend tjetër, për më tepër me Serbinë”.

“Ne jemi të vendosur të normalizojmë situatën në veriun e Kosovës, të cilën e konsiderojmë si një çështje të ruajtjes së rendit. Unë e kam bërë të qartë se nuk ekziston asnjë alternativë tjetër përveç zbatimit të Planit Ahtisari dhe ky plan nuk mund të modifikohet sepse ai është hartuar dhe miratuar në bashkëpunim të plotë mes institucioneve të Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar”, tha presidentja.

Ajo shtoi se integrimi i komunitetit serb në veriun e Kosovës është mënyra në të cilën Kosova do të ndërtojë një të ardhme të sigurt për të gjithë popullin e vet. Presidentja Jahjaga u bëri thirrje anëtarëve të komunitetit serb të Kosovës që të marrin përsipër përgjegjësitë dhe detyrimet e tyre për t’u bërë pjesë e shoqërisë dhe ta konsiderojnë Kosovën si atdheun e tyre.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›