E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Kreu i PD-së", Erion Nikolli: Unë kandidat, ja platforma

Ish-dhjetoristi Erion Nikolli, sot biznesmen dhe konsull nderi i Misionit për Paqen dhe Prosperitet, është zyrtarisht kandidat për kreun e ri të PD-së. Z.Nikolli konfirmon për "GSH" se dje ka paraqitur kërkesën për kandidim dhe shpall platformën e tij për postin e pasardhësit të Sali Berishës në PD. Z.Nikolli, i cili ka qënë aktiv në kohën e krijimit të PD-së dhe prej vitesh punon në perëndim, duke kontribuar për zhvillimin e vendit përmes thithjes së investimeve të huaja, vlerëson garën e re brenda PD-së. Ai synon të sjellë një frymë perëndimore në PD dhe propozon që lideri Berisha të shpallet President Nderi dhe konsull i përjetshëm, sipas tij, për kontributin e madh që ka dhënë në konsolidimin e demokracisë në Shqipëri.
Z.Nikolli, cili është kontributi juaj në Partinë Demokratike?
Kontributi im në PD ka filluar që në vitin '90, kur isha student aktiv i dhjetorit. Kam qenë themeluesi i unionit demokratik dhe kam marr pjesë në çdo miting të PD. Kam qenë aktiv edhe pasi u largova për në Gjermani në vitin 1991, kur shkova të studioja gjermanishten. Por qënia ime në Europe nuk më largoi kurrë nga interesi dhe pjesëmarrja në aktivitetet politike të zhvilluara në vendet perëndimore. Gjatë 20 viteve kam kontribuar fuqishëm për PD.
Pse menduat t'i hyni kësaj gare dhe pse keni qëndruar deri tani larg PD-së?
Duke qënë se në vitet '90 isha me moshë të re dhe nuk kisha aftësi e eksperiencë në fushën politike, ishim të ndërgjegjshëm, se vetëm profesorët tanë do ishin liderët e PD-së. Tani që lideri Berisha na ofroi mundësinë e kandidimit të ndershëm brenda PD-së, mora iniciativën që të garoj dhe unë për postin e kryetarit.
A jeni regjistruar zyrtarisht si kandidat për kreun e ri të PD?
Po, jam regjistruar sot (dje) në selinë e PD-së. Paraqita kërkesën time për kandidim, madje njoftova edhe z.Berisha. Tani pres konfirmimin që më pas të paraqesë deri të enjten dhe platformën time për garën e kreut të ri të PD-së.
Cila është garancia juaj se keni mbështetjen e anëtarësisë së PD-së?
Duke qenë se jam një nga themeluesit e Partisë Demokratike, sigurisht gëzoj mbështetjen e të gjithë atyre që ia duan të mirën PD-së.
Cila do të jetë platforma juaj për postin e kryetarit?
Platformën do ta paraqes zyrtarisht pasi të pranohen kandidatët. Por disa nga pikat mund edhe t'i përmend, siç është statusi i anëtarit, që do jetë i mbrojtur në mënyrë që edhe vërejtjet dhe kritikat të pranohen brenda partisë. Një tjetër pikë është mundësia që i jepet çdo anëtari sipas punës dhe aftësive të bëjë karrierë brenda PD-së. Kurse programi i punësimit do jetë punësimi privat, duke bërë lehtësimin e taksave për kompanitë e huaja që investojnë në Shqipëri, por pa anashkaluar kompanitë shqiptare.
Cili është mendimi juaj për PD-në nën drejtin e liderit Berisha?
Përsa i përket rolit të liderit të PD-së, është i padiskutueshëm, është merita e tij që e udhëhoqi PD-në në momentet më të vështira të tranzicionit politik pas '90 deri tani dhe mendoj që Dr.Prof. Sali Berishës t'i jepet titulli President Nderi dhe Senator i Përjetshëm.
Nga emrat e shfaqur deri tani në media, nga cili prej tyre "rrezikoheni" në garën brenda PD-së?
Nuk kam asnjë frikë në kandidimin tim nga asnjë nga kandidatët. Zgjedhja do bëhet në mënyrë transparente dhe demokratike. Duke qënë se unë i jam përshtatur perëndimit dhe ndjek një rrymë perëndimore, do t'i uroja fitore fituesit, nëse nuk do jem unë dhe do bashkëpunoja me të për kontribuimin në zhvillimin e vendit.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›